Tetova: “Në lojë janë edhe 51 pikë… Gati për ndeshjen e rradhës”

Zv. Trajneri i klubit, Edlir Tetova doli ditën e sotme përballë gazetarëve në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes Tirana-Teuta. Tekniku bardheblu u pyet për gjëndjen e skuadrës dhe situatën e renditjes. Më poshtë deklarata e plotë e zv. Trajnerit:

Si është gjendja e trajnerit Shehi?
Orges Shehi është i izoluar dhe do të kthehet shumë shpejt në ekip. Kaq mund të them për momentin.

Ndeshja me Teutën mund ta vërë në vështirësi Tiranën apo ta bashkojë me ekipet e tjera që luftojnë për
Europë?
Është një ekip që ka bërë mirë gjatë këtyre viteve sidomos kampionatet e fundit, sigurisht edhe këtë sezon po bën mirë. Do të përpiqemi të bëjmë maksimumin. Djemtë janë paraqitur shumë mirë në stërvitje dhe ne presim që ata të bëjnë më të mirën në fushën e lojës. Çdo gjë do t’ia lemë fushës, ditën e ndeshjes.

A ka ndikuar humbja ndaj Kukësit në gjendjen psikologjike të skuadrës?
Nuk ka ndikuar aspak në gjendjen psikologjike të skuadrës, sepse lojtarët ishin koshient që bënë mirë atë ndeshje, thjesht te pjesa para portës duhet të ishin më konkretizues për të shënuar golin.
U ndëshkuam nga një episod, kështu që, themi që të bëjmë përpara dhe të vazhdojmë punën siç kemi vazhduar këtë javë për të pritur ndeshjen e radhës. Ai është një kapitull i mbyllur me Kukësin dhe ne duhet të shikojmë përpara. Në lojë janë edhe 51 pikë, që janë gati gjysma e kampionatit, kështu që ne kemi objektiv ndeshjen e radhës. Shpresoj t’ia dalim mbanë.

Ju shqetësojnë mungesat?
Patjetër që mungesat janë shumë të rëndësishëm. Torasa vuan dëmtimin e gjurit akoma. Shpresojmë me ndihmën e mjekëve, nga java tjetër të fillojë stërvitjen. Është mungesa e Najdovskit që ka rezultuar pozitiv me COVID. Danso është me 4 kartonë. Grupi tjetër i lojtarëve që është paraqitur në stërvitje ka punuar maksimalisht, shpresoj t’ia dalim sa më mirë.

Teutën e keni të veçantë pasi jeni rritur atje…
Ne bëjmë pjesë te kjo lloj pune. Sot jemi këtu, nesër jemi atje. Sigurisht, është ekipi i qytetit tim, por unë do të bëjë më të mirën për Tiranën, kjo është puna ime si profesionist.

Powered by Live Score & Live Score App