Klubi i Futbollit Tirana
Krenaria e futbollit shqiptar
Historia e lavdishme dhe e pambarimtë e një fanelle emblematike te futbollit shqiptar.
Është meritë e shumë brezave nga themelimi i kësaj skuadre e deri më tani që ka ditur të intensifikojë në mënyrën më autoritare të mundshme shkallën e ambicieve të saj për trofetë e kampiones së Shqipërisë
Pak muaj kishin kaluar nga 11 shkurti 1920, ku në Kongresin historik të Lushnjes qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina mori vendim për shpalljen e Tiranës kryeqytet të Shqipërisë, kur më 15 gusht u themelua Sport Klub Tirana. Kështu në këtë datë historike për sportin shqiptar, në kryeqytetin më të ri të shtetit të shqiptarëve padyshim pjesë që në krye të herës e kontinentit të vjetër, ku sapo kishin nisur të funksiononin institucionet e para të shtetit shqiptar, që tetë vite më parë kishte fituar mëvetësinë e tij nga sundimi pesëshekullor otoman, u shtua edhe një institucion kulturor sportiv, prania e të cilit ndoshta qe në mënyrë krejt të rastësishme, por që gjithsesi shumë shpejt u konstatua dhe u faktua domosdoshmëria e tij. Gjithsesi, edhe pse kjo datë fiksoi fillimin e funksionimit të një klubi sportiv, ajo kurrsesi nuk shënonte zanafillën e zhvillimit të sporteve në Tiranë. “Rrënjët” e ushtrimit të sporteve në trevën e Tiranës ishin shumë vite më thellë se përpara kësaj date. E theksojmë këtë fakt sepse, nëpër lagjet e atëhershme: “Abdulla Bej, “Sulejman Pasha”, “Ali Efendi”, “Poshtri”, “Lagjja re” etj, të Tiranës së fillim shekullit të kaluar, në sheshet pranë xhamive, teqeve, shkollave e sidomos në kopshtet e shumë prej familjeve të nderuara tiranase si: Petrela, Lleshi, Kokonozi, Fortuzi, Celiku, Alimehmeti, Qorrali, Kika, Qyqja, Xhafa etj, sipërfaqe të tëra nga kopshtet e tyre i linin enkas pa punuar, për t’u argëtuar e ushtruar gjatë kohës së lirë në lloje të ndryshme sporti, pa harruar kurrsesi edhe lojërat e ndryshme e të shumta popullore, djemtë e tyre të talentuar. Shumë nga këta djem falë përkujdesjes së prindërve, studionin nëpër universitetet evropiane, kur ktheheshin me pushime, sillnin gjithnjë jo vetëm të rejat më të fundit të sporteve dhe lojërave, që ushtroheshin në vendet ku studionin, por edhe mënyrat e përparuara të grupimit e organizimit të shoqërive sportive.
Dhe falë pikërisht këtij fakti shumë shpejt nëpër të gjitha lagjet e Tiranës, pa thënë edhe nëpër rrugica të veçanta lindën shoqëritë e para sportive me emra tejet domethënës: “Djelmënia”, “Agimi”, “Shpresa”, “Pashko Vasa”, “Naim Frashëri”, “Moisi Golemi” etj. Veçmas futbollit dhe lojrave me dorë djemtë tiranas në ato vite kishin pasion të veçantë shëtitjet turistike, njohjen dhe zbulimin e bukurive të natyrës, që treva e Tiranës i kishte aq të shumta. Kështu organizonin shpesh ngjitje në malin e Dajtit, në kalatë e Petrelës e të Prezës, apo bënin gara me biçikleta deri tek ura Beshirit, apo deri në Vorë e kthim etj. Grupet bojskautistë ishin të shumtë dhe veprimtaritë e tyre, ku merrnin pjesë me dhjetëra të rinj ishin të dendura. Gjatë stinës së nxehtë të verës ushtronin notin nëpër pellgjet e Erzenit, Tërkuzës e Riglatës (lumi Tiranës), sidomos pellgjet e urës së Brrarit ishin nga më të frekuentuarit. Të djelave ende pa feksur dielli mbi Dajt, shumë familje tiranase, por edhe grupe të rinjsh udhëtonin kush më këmbë, me biçikletë apo me kuaj e karroca si edhe me autovetura për të zënë vend sa më shpejt në ullishten përqark shkëmbit gjigand, të cilin rryma e ujit e kishte çarë më dysh, duke krijuar një figuracion interesant prej shtatë “odash” me thellësi të konsiderueshme, ku rridhte uji i kulluar. Aty në distancën e hapësirës së shtatë odave djemtë konkurronin në gara noti të stileve të ndryshme, si dhe në hedhje nga lartësitë e thepisura të shkëmbit.
Veprimtari e dendur sportive zhvillohej në ato vite nëpër shkollat e Tiranës, veçanërisht në gjimnazin e shtetit, në shkollën teknike të Harry Fulcz etj. Një nga nismëtarët për krijimin e shoqatës “Fryma e re” në gjimnazin e shtetit bëhet Prof. Dr. Shefqet Ndroqi “Qytetar Nderi” i Tiranës bashkë më shokët e tij të ngushtë Dr. Isuf Dashi, Prof. Abdulla Shehri, Prof. Selman Stërmasi, Rexhep Maçi, Rexhep Luga etj. Kjo shoqatë kishte për qëllim zhvillimin e kulturës dhe sportit. Fill pas krijimit të grupit të teatrit ata formojnë skuadrën e futbollit, e cila shumë shpejt bëhet e njohur në gjithë qytetit. Dhe kjo jo vetëm për fitoret e bujshme që arrinte kundër skuadrës së shkollës teknike, apo të gjimnazit të Shkodrës, por sidomos për talentet e vërtetë të futbollit që spikatën në radhët e saj. Bëhet fjalë për një grup djemsh të talentuar, që e luanin me shumë pasion futbollin të cilët në të parin kampionat të topkëmbës shqiptare u bënë baza kryesore e formacionit të skuadrës bardheblu të Sport Klubit Tirana.
Ndërkohë, të vëmendshëm ndaj këtyre veprimtarive të djemve tiranas, që tërhiqnin aq shumë shikues në fushën e Shallvares u treguan disa familje të njohura tiranase që merreshin me tregti. Kështu falë kujdesit të tyre u organizuan disa veprimtari midis shoqërive sportive, që Tirana siç thamë i kishte të shumta jo vetëm nëpër lagje, por edhe në rrugica. Kështu orëndreqësit e njohur Tufina, organizonin herë pas here kupën “Tufina”. Fituesit, veç kupës së trofeut, fitonin edhe nga një orë dore të markës “Longines”. Të njejtën gjë bënte shpesh edhe familja Gjinali. Bashkë me kupën, futbollistët fitues fitonin edhe nga një kostum stofi të cilësisë së lartë “Marzzotto” nga më të mirat e asaj kohe. Dalloheshin shumë në këto veprimtari shoqëritë “Agimi”, “Moisi Golemi”, “Kont Urani”, etj.
Kështu, gradualisht pas kësaj themelimi i Sport Klubit Tirana fillimisht u pa si një shkallë tjetër organizimi dhe e zhvillimit të veprimtarive sportive, të cilat duheshin çuar më tej në përballje, matje aftësisht e garimi, ashtu siç ndodhte me bashkëmoshatarët e tyre në mbarë Europën. Pra duhej dalë nga ai “ngujim” ndeshjesh vetëm në bazë lagjesh e grupesh shoqërore. Tashmë kishte ardhur koha për t’i vënë forcat e aftësitë në provë edhe me bashkëmoshatarë në qytetet fqinj dhe më gjërë, të cilët si edhe ata, në këtë aspekt kishin bërë përparime të dukshme. Ndaj jemi të mendimit se, pikërisht në këtë pikë kulmore të zhvillimit të veprimtarive sportive krijimi i një klubi sportiv erdhi si një domosdoshmëri krejt e natyrshme e pasionit të atyre të rinjve të talentuar të Tiranës së asaj periudhe, të cilët deri në atë kohë ishin inkuadruar nëpër shoqata me emra domethënës siç theksuam më lart “Djelmënia”,”Shpresa”,”Agimi”,”Rrufeja”,”Moisi Golemi”, “Naim Frashëri”, “Vaso Pasho” etj.
Konseguent e të bindur katërcipërisht për të ecur në gjurmët e bashkëmoshatarëve evropianë, jo vetëm ishin krijuar por, edhe ishin pjekur kushtet e duhura që shoqëritë e vogla sportive të deriatëhershme të lagjeve, mëhallave e rrugicave të bashkoheshin në një klub të vetëm, i cili do të përfaqësonte ngjyrat e qytetit në rang kombëtar. Ndërkohë duhet theksuar edhe fakti se, në radhët e këtyre djemve kishte kohë që vlonte dëshira për t’u bashkuar në një klub. Dhe kjo ndodhi më 15 gusht 1920, kur një grup intelektualësh tiranas, me në krye: Bahri e Said Toptani, Stefan Shundi, Anastas Koja, Anastas Shundi, Irfan Gjinali, Reshat Tafalla, Jonuz Tafaj etj., mbledhur në kafe “Kursal”, vendndodhja e së cilës ka qenë në qendër të Tiranës gati ballë për ballë me godinën e Bankës, formuan Sport Klub Tirana.
Pas këtij akti, u hartua programi, statuti dhe u caktua emblema, që i kishte rrënjët në bardheblunë e flamurit të oxhakut toptanas dhe në thellësitë oqeanike të genit tiranas, që karakterizohet nga bardhësia e shpirtit dhe çiltërsia e ndjenjave qiellore. U caktuan kuotizacionet e anëtarëve. Të gjitha familjet tiranase sipas dëshirës e mundësive kontribuan financiarisht për Sport Klubin Tirana. Sidomos tregtarë të njohur derdhën të ardhura të konsiderueshme në arkën e klubit. Në një mbledhje tjetër të kryesisë zhvilluazr pak ditë më vonë, iu kërkua nëpërmjet një shkrese bashkisë, drejtuar konkretisht kryetarit z. Fuat Toptani, madje njëkohësisht e njëjta kërkesë iu paraqit edhe kryeministrit të asaj kohe Z. Sulejman Delvina, leja për caktimin e një sheshi, ku Sport Klub Tirana të ushtronte normalisht aktivitetet e veta sportive. Interesimi i vetë kryetarit të bashkisë së asaj kohe, Z. Fuat Toptani, bëri të mundur dhënien me qira të truallit në Shallvare. Kjo fushë në atë kohë shtrihej në zonën përballë godinës së hotel “Dajtit”, saktësisht në hapësirën e Parkut “Rinia” dhe më tej matanë rrugës nga bregu i Lanës në truallin ku janë ngritur pallatet e Shallvares e deri aty ku ndërpritet nga rruga “Myslym Shyri”. Emërtimi “Shallvare” i kishte mbetur ngaqë aty në kohën e pushtimit otoman, ushtarët e garnizonit turk që ishte dislokuar në Tiranë stërvitej dhe kryente gara të karakterit fizik e ushtarak. Ndërkohë duhet thënë se, ajo ishte një fushë ideale, që kishte për fat të mirë një drenazhim natyral.
Për fat të keq deri më sot, në atë vend nuk është vënë të paktën një pllakë përkujtimore, ku të mësonin brezat e rinj që në shekullin e kaluar në Tiranë, më së pari futbolli e të gjithë sportet e tjera atletika, basketbolli, volejbolli etj, kanë nisur të luhen në truallin, ku janë sot këto lulishte apo bare, ku ata kalojnë kohën e lirë. Në ato vite në afërsi të kësaj fushe ndodhej kafeneja e Tut Mezinit. Në një nga ndarjet e saj mblidhej kryesia e Sport Klubit. Më vonë, u muar me qira njëra nga dhomat e shtëpisë së një banori, aty në afërsi të Shallvareve, e cila u përdor për zhveshjen e futbollistëve. Kurse pusi në oborrin e shtëpisë shërbente për t’u larë pas stërvitjeve e ndeshjeve.
Këto ishin fillimet. Më pas, Shallvarja edhe u rrethua me dërrasa, u ndërtua pista e atletikës me katër korsi, gropa e kërcimeve etj. Madje, kampionët e parë sport klub Tirana i ka pikërisht në atletikë, në të parin kampionat kombëtar të zhvilluar në vitin 1929. Rekordet e bardhebluve në atë kohë, ato të Zabit Çokut në 100 m 11″ 02 , të Abdyl Këllezit në 200 m 24″ 1, të Isuf Dashit në 100 m/p 19″, 8 etj, janë jo pak domethënës për kohën. Kurse skuadra e futbollit, e kushtëzuar nga mungesa e zhvillimit të kampionatit kombëtar, e kishte paksa të kufizuar veprimtarinë e saj, vetëm në takimet miqësore me skuadrën e Bashkimit Shkodran, Besën e Kavajës, Teutën e Durrësit etj, përshi këtu dhe ndonjë takim miqësor ndërkombëtar me ekipin e Cetinjës së Malit të Zi etj. Madje, takimi i parë i SK Tirana me këtë skuadër, që është edhe takimi i parë ndërkombëtar i bardhebluve daton të jetë luajtur në kryeqytet më 31 korrik 1925 dhe ka përfunduar 1-3, për fqinjët nga Mali i Zi.
Disa nga djemtë tiranas njëherësh edhe sportistë të talentuar si Selman Stërmasi, Adem Karapici etj, në ato vite studjuan në Itali enkas për fiskulturë e sporte, të dy këta figura të shquara të sportit tiranas e atij kombëtar u diplomuan në Akademinë italiane të Sporteve INSEF (Romë), falë kujdesit të të cilëve u përsosën njohuritë mbi futbollin, rregulloren e tij dhe futën për herë të parë rregulloret e lojërave me dorë, të atletikës e të notit. Pas kësaj shumë nga djemtë e Tiranës nisën të shkruajnë emrat e tyre në listat e rekordmenëve, kampionëve e fituesve në mjaft veprimtari kombëtare.
Nis kështu trajektorja e inkandeshencës së yjeve të klubit bardheblu, vezullimi i së cilës në qiellin shqiptar, në mbi nëntëdhjetë vite me radhë, nuk do të reshtë së përjetësuari, në hapësirën e tejskajshme të saj, emrat e sportistëve cilësorë të këtij klubi, sukseset e panumërta dhe trofetë e fituara. Gjithnjë e më shumë emra të mëdhenj, figura të nderuara e të respektuara të sportit shqiptar, rekordmenë e kampionë të vendit, të Ballkanit e të Evropës e kanë pasuruar dhe vijojnë ende ta bëjnë të tillë, librin e Artë të Sport Klub Tirana. Janë pikërisht këto figura, si edhe dhjetëra e qindra të tjerë, që me punën e pasionin e tyre të jashtëzakonshëm, talentin dhe dashurinë e madhe për sportin, ngritën dhe e mbajtën kurdoherë lart emrin e madh të klubit kryeqytetas. Padyshim, të pandarë nga këto suksese janë së pari emrat e sa e sa presidentëve e sponsorëve, që kontribuan e po vijojnë të kontribojnë financiarisht për klubin si dhe emrat e trajnerëve, seleksionerëve, që qëmtuan me kujdes shesheve, rrugicave, shkollave e fushave sportive, breza të tërë sportistësh, të cilët arritën të mbajnë mbi shpatulla me dinjitet fanellën bardheblu të një klubi të madh si Tirana. Në këto suksese, i pandarë është edhe kontributi i dhjetëra drejtuesve, administratorëve e punonjësve të klubit ndër vite. Por, ky gjerdan i pafundmë suksesesh bardheblu, nuk do të ishte kurrsesi i të tilla përmasave, pa mbështetjen, duartrokitjet, thirrjet “Tirona-Tirona”, entuziazmin, valëvitjen e flamujve, në ekstazat e dalldisë së fitoreve, të mijëra sportdashësve, të cilët përjetësisht u janë bërë të pandashëm bardhebluve.
Dhe, pse ka pasur dhe ka gjithnjë në gjirin e tij sportistë të tillë cilësorë, si askush tjetër, dhe një sportdashës të zjarrtë e të kulturuar, Sport Klub Tirana është një nga klubet më popullore në vendin tonë, madje pa dyshim krenaria e sportit shqiptar.
Bardheblutë protagonistë që në start të historisë së topkëmbës shqiptare, në vitin 1930 nisin vargëzimin e fitimit të trofeve të futbollit shqiptar. Me dominimin absolut në vitet e paraçlirimit, gjashtë tituj në shtatë kampionatet e para, Tirana do të rigjej veten dhe trofetë nga mesi i viteve 1960-të, saktësisht më 1965, atëherë kur do të kishte një grup djemsh talent të paimagjinueshëm që evidentuan “shkollën tipike” tiranase, e cila arriti të konsolidonte në dekadat e më pasme “pushtet” më të plotë në fitimin e trofeve. Rekordet e titujve të saj Tirana i ka thelluar vit pas viti. Është meritë e shumë brezave nga themelimi i kësaj skuadre e deri më tani që ka ditur të intensifikojë në mënyrën më autoritare të mundshme shkallën e ambicieve të saj për trofetë e kampiones së Shqipërisë. Dhe pikërisht për këtë kanë përse të kenë nostalgji tashmë shumë emra,që kanë “pjesën” e tyre të mundit, djersës e sakrificave të mëdha në historinë e titujve të fituar nga kjo skuadër.