Shehi: “Skuadra është e plotë, lojtarët do të japin më të mirën e tyre.”

Trajneri Orges Shehi foli sot përpara kamerave në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes Tirana-Partizani. Në prononcimin e tij ai u pyet për situatën para derbit dhe gjendjen e skuadrës. Më poshtë deklarata e plotë e trajnerit:

Derbi, kartolina e këtij kampionati, e shihni si të tillë apo thjesht si një ndeshje të rradhës?
Derbi nuk do koment, por ne duhet të fokusohemi dhe të përqendrohemi si ndeshja e radhës. Është ndeshje që ka edhe shumë javë të tjera në garë, kështu që do të impenjohemi maksimalisht, por duke e konsideruar si ndeshja e radhës.”

I trembeni derbit dhe ecurisë së skuadrës?
Statistikat janë pjesë e juaja, unë nuk i trembem asnjë lloj kundërshtari, duke pasur parasysh lojtarët që kam. E thash edhe më parë do të futemi me synimin për të bërë maksimumin, për t’u ringjitur aty ku duhet dhe aty ku na takon.

Ju favorizon fakti që vini pas 3 fitoresh radhazi ndërsa Partizani jo?
Rezultatet pozitive ndikojnë në humorin dhe psikologjinë e skuadrës, por ndeshjet derbi kanë një specifikë të veçantë ku nuk merren parasysh e kaluara ose e tashmja. Shpresojmë ta interpretojmë mirë dhe të mos gabojmë.

Cila është gjendja e skuadrës? Skuadra është e plotë, sigurisht ndonjë lojtar nuk është akoma në 100% e vet. Duke marrë parasysh që është derbi, lojtarët do të japin më të mirën e tyre edhe ata që e nisin nga stoli edhe ata që janë në fushë.

Mjafton vetëm rivaliteti mes skuadrave për tu motivuar apo keni bërë dicka më shumë?
Patjetër që e analizojmë çdo kundërshtar me të cilin luajmë, por në radhë të parë analizojmë veten tonë, çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë keq.

Nuk kam dashur ta ngarkoj skuadrën këtë javë. Trajneri e ka të lehtë motivimin në këtë ndeshje, lojtarët motivohen dhe karikohen vetë. Thjesht duhet të jemi të përqendruar dhe të vlerësojmë çdo detaj, sepse gjërat e vogla kanë shumë rëndësi në ndeshje të tilla.

Pika më e rëndësishme e sezonit këtë ndeshje?
Sa vijnë dhe ndeshjet pakësohen dhe sa vjen dhe ke pak mundësi për të qenë brenda objektivave. Është ndeshje e rëndësishme, luajmë ndaj kundërshtarit tonë historik. Nuk duhet të ngarkohemi, ta marrim si ndeshja e radhës dhe të mos harrojmë se ka edhe shumë ndeshje në garë deri në fund të kampionatit.

Ka një ndjesi ndryshe këtë derbi si bardheblu?
E kam provuar derbin në cilësinë e lojtarit. Në cilësinë e trajnerit është derbi im i parë, por, deri tani, nuk është se ka ndonjë ndjesi të veçantë. Duam të bëjmë më të mirën dhe duhet të mbushemi me besim për t’u futur nesër në fushë.

Sa e zbeh mungesa e tifozëve këtë derbi?Patjetër që derbi ka ndikim edhe te tifozët, mezor e presin të gjithë këtë ndeshje ka impaktin e vet edhe tifozeria. Në situata të tilla nuk kemi ç’bëjmë, duhet të përqendrohemi te fusha, pjesa e tifozëve u përket atyre.

Keni mbajtur ndonjë fjalim për ti dhënë adrenalinë lojtarëve?
Shumë pak lojtarë e kanë për herë të parë derbin. Sigurisht që edhe prurjet e reja do të përshtaten me adrenalinën e derbit, por lojtarët me eksperiencë do t’i ndihmojnë për të qenë aty ku duhet.

Do t’ju kënaqte një barazim?
Është një ndeshje që i ka të tre rezultatet brenda, por ne do të jemi të përqendruar për të marrë maksimumin. Se çfarë do të prodhojë fusha e lojës, mbetet për t’u parë nesër.