Shehi: “Për të ardhmen do të flasim pas datës 31 maj. Ju tregoj vizionin tim…”
Trajneri Orges Shehi foli sot në një interviste për shtyp në prag të ndeshjes KF Tirana-FK Skenderbeu, që do të luhet ditën e nesërme në stadiumin Selman Stërmasi. Shehi u pyet për situatën në kamp, gjendja e momentit dhe sfidën e fundit të sezonit. Më poshtë deklarata e plotë e trajnerit.
Është ndeshje e fundit, kërkojmë t’i bëjmë një mbyllje dinjitoze kampionatit. Pra duke e respektuar në maksimumin kampionatin, pa marrë parasysh objektivat. Do mundohemi të fusim disa elementë të rinj, që t’u japim disa minuta. Do kemi mundësi t;i shohim çfarë janë në gjendje të bëjnë, por edhe ata ta kuptojnë se janë pjesë e skuadrës tonë dhe i pret një e ardhme tek ne.
Ndeshjen e kaluar do kisha dashur të bëja më shumë ndryshime, ta nisja më shpejt me lojtarët e rinj. Gati dy ditë më parë kishin luajtur me ekipin U19 dhe nuk donim të rrezikonim. Krijuan një përshtypje të mirë, janë lojtarë që premtojnë. Meritonim më shumë për vetë rastet që kishim, por na penalizoi finalizimi. Shpresoj që edhe nesër të shprehemi mirë, të shkojmë te porta dhe pse jo, të shënojmë”.
E ardhmja? Kjo e ardhmja është bërë kështu si… Për të ardhmen më pyesin çdo javë, por do të flasim pas datës 31 maj. Atëherë më mbaron kontratë dhe do të kemi zhvillime të reja.
Nëse do të kemi një kontratë tjetër, normalisht do të ketë ndërhyrje. Në çdo skuadër janë të domosdoshme. Do konfiguronim skuadrën sipas asaj që duam të luajmë, sipas modulit. Ky është vizioni im, pastaj se çfarë ndodh është kompetencë e drejtuesve të klubit.
Notë? Të flasësh për veten është e vështirë. Kurrë nuk e kam bërë dhe nuk e bëj. Të tjerat japin vlerësimet për ty. Besoj se kemi marrë pikë të konsiderueshme. Skuadra ka qenë gjithmonë në ekuilibër, kompetitive, çdo ndeshje ka hyrë për ta fituar. Në disa ndeshje mund të merrnim pikë më shumë, por nuk ndryshoj asgjë nga ajo që kam bërë me stafin. Jemi djegur në një moment, për çështje fati, dhe mund të ishim në Europë. Mendoj se nuk do ndryshoja asgjë. Pikët janë ato që flasin dhe ua jep ju mundësinë për të vendosur notat.