Shehi: “Kjo javë është përcaktuese për kampionatin. Nuk do të kursejmë lojtarë, në fushë zbresim më të mirët.”
Trajneri bardheblu Orges Shehi doli sot në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes KF Tirana-KS Kastrioti që do të luhet ditën e nesërme në stadiumin Selman Stermasi. Shehi u pyet për gjendjen e skuadrës, mungesat dhe sfida e nesërme. Mëposhtë deklarata e plotë e trajnerit:
Kemi thënë që çdo skuadër ka objektivat e veta. Kastrioti është kundërshtar që nuk ka marrë pikë në javët e fundit, por të hap probleme, sepse edhe ata kanë objektivat e tyre për të arritur. Ne jemi për t’u ngjitur lart, ata janë për t’i shpëtuar fundit të tabelës. Do të jetë një ndeshje e luftuar nesër.
Cfarë duhet të bëjë Tirana këtë herë për të marrë 3 pikët?
Na ndajnë vetëm 5 javë nga fundi I kampionatit, duhet të jemi të përqendruar, të kujdesshëm dhe të çojmë topin në rrjetë.
A janë këto dy ndeshjet (Kastrioti/Partizani) më të rëndësishme të sezonit?
Kjo javë është shumë përcaktuese për ne, kur marrim gjithë frytet e sezonit. Tirana ka pasur një sezon shumë të ngarkuar sepse ka nisur shumë herët vitin futbollistik.
Rivali më i rëndësishëm?
Kastrioti, që luajmë nesër. Nuk është rivali ynë direkt, por rivali i radhës është më i rëndësishmi. Duhet të bëjmë mirë, të shfrytëzojmë rastet sepse futbolli është edhe lojë momenti dhe duhet shfrytëzuar. Rasti i parë që do na jepet, do duhet ta shënojmë sepse na ndihmon për vazhdimësinë e ndeshjes.
Do të kurseni lojtarë nesër për ti patur në derbi?
Nesër nuk do kursejmë asnjë lojtar për derbin. Kemi edhe mungesa për shkak kartonash. Do hedhim në fushë lojtarët që janë në gjendjen më të mirë.
Sa shanse ka Tirana për Europë apo për titull?
Nëse herët e tjera nuk e kemi në dorë, mendoj se kemi shanset tona nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet. Nëse ndodh kjo, mendoj se do jemi brenda objektivit tonë.