Shehi: “Impenjimi i skuadrës, në maksimum… nuk ka kundërshtarë të lehtë.”

Trajneri Orges Shehi u ul sot përballë gazetarëve në konferencën për shtyp përpara ndeshjes FK Apolonia-KF Tirana që do të luhet ditën e nesërme. Në deklaratën e tij tekniku bardheblu u shpreh si mëposhtë:

Ditët në dispozicion kanë qenë e pakta, por besoj se mjaftojnë për të shpjeguar dhe kërkuar atë që duam të bëjmë gjatë ndeshjes. Impenjimi i skuadrës ka qenë në maksimum. Kur vjen një trajner i ri, kërkon të implementojë atë që ai mendon.

Do kemi në fushë edhe lojtarë që janë kthyer nga dëmtimi, pa dashur t’i rëndojmë. Ndaj Apolonisë është e vështirë. Nuk ka kundërshtar të lehtë, Apolonia i ka marrë pikë edhe të fortëve. Kemi kundërshtarë poshtë nesh në klasifikim, por ne duam të ngjitemi në renditje dhe fitorja na bën mire.

Merkato?
Pak ditë na ndajnë nga merkato, ka interesim për Muçin, por asgjë konkrete. Ardhjet në merkato kanë kualitet, por do shohim në vijim, duke i përshtatur minutazhin e duhur, ngaqë nuk janë aktivizuar shumë. Ka edhe tre ditë nga mbyllja dhe është e vështirë të gjesh lojtarë.
Nuk pres ardhje në këto ditë të fundit. Psikologjia është e rëndësishme. Kam biseduar edhe tek e tek me lojtarët dhe e kuptoj gjendjen e tyre. Ata mezi presin të rikthehen. Janë kampionë dhe duan të rikthehen.