Shehi: “Gara është e gjatë, ka shumë pikë në lojë, por duhet t’i marrim ndeshjet 1 nga 1”
Trajneri Orges Shehi doli sot në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes Tirana-Bylis. Ai u pyet për situatën e skuadrës, fitoren në klasike dhe objektivat. Më poshtë deklarata e plotë e trajnerit:
Trajner, si e shihni ndeshjen me Bylisin?
Personalisht jam i mendimit që nuk ka kundërshtar të lehtë, sidomos në këtë fazë të Kategorisë Superiore që skuadrat janë me objektiva të qarta. Nuk është ndeshje e lehtë, është një ndeshje që do vlerësim maksimal.
Si është gjendja e skuadrës?
Skuadra akoma nuk është në 100%, kemi mungesa. Najdovski akoma nuk është bashkuar me skuadrën, po ashtu dhe Danso për arsye shëndetësore që dihen tashmë. Kemi dhe pak probleme me Torasën dhe Kalenë sepse nga ana fizike nuk janë në 100%. Por, lojtarët që u futën në fushë ndaj Vllaznisë, mendoj që e përligjën besimin dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm.
Një barazim apo një fitore?
Futemi në fushë për të dhënë dhe marrë maksimin nga ndeshja. E dimë shkallën e vështirësisë, por kurrsesi nuk duhet të mendojmë humbjen apo barazimin, duhet të mendojmë atë, që ne duhet të japim 100% tonë në fushë. Se çfarë prodhon fusha është një tjetër gjë. Jemi në një situatë që pikët janë të domosdoshme, do të luftojmë shumë për t’i marrë ato.
Jeni dakord me mendimin që skuadrës i mungon vazhdimësia?
Unë mendoj që në drejtim tim skuadra është shfaqur mirë, përveç ndeshjes me Teutën, që nuk ishim vetvetja. Ishte një ndeshje për t’u harruar. Në ndeshjet e tjera kemi bërë mirë pavarësisht se me Kukësin nuk morëm atë që merituam. Duhet të vazhdojmë me këtë rrugë, me këtë dëshirë, përqendrim dhe impenjim, për të bërë mirë dhe për të marrë vazhdimësinë që është shumë e nevojshme.
Një kundërshtar me të cilin ka munguar fitorja, dhe terreni mendoni do jua vështirësoi punën?
Të dyja pikat që prekët janë të vërteta, po luajmë përpara një kundërshtari që s’kemi fituar asnjë ndeshje dhe do të bëjmë çështje e mundur që ta fitojmë ndeshjen. Kundërshtarë që këto javët e fundit po bën mirë, çka ja vështirëson manovrën ekipit dhe mënyrën si do të luajë. Bëhet e vështirë ndaj një kundërshtari të tillë. Terreni mendoj që në këtë kohë të tillë, besoj do të jetë në gjendje optimale. Shpresoj të jetë në gjendje të mirë që edhe skuadra të shprehet mirë.
Ju shqetëson pjesa e shpërdorimeve të rasteve të Seferit?
Për mendimin tim, ja kam thënë dhe atij, është një nga lojtarët tanë kryesor. Jo më kot u zgjodh lojtari i ndeshjes me Vllazninë, për atë që i dha skuadrës. Sigurisht që sulmuesi edhe raste do të humbi, por kur prodhon shumë dhe mban mbrojtjen gjithmonë në tensionon dhe kur shërben unë besoj se ka bërë mirë. Dha asistin te goli i dytë i Kale. Ka shënuar 2 gola. Kam besim te aftësitë e tij. Shpresoj që nesër ai të shënojë, për të qënë i qetë dhe për marrë atë që krijon.
Ka patur një rikthim të entuziazmit?
Fitorja ishte shumë e rëndësishme, për momentin ku ishim. Një fitore që duhet të na shërbejë për vazhdimësinë. Në qoftë se nuk fitojmë ndeshjen e radhës gjithçka shkon dëm.
Vijon Tirana të jetë pretendente për titullin kampion?
Mendoj se duhet të shikojmë ndeshjen e radhës. Të rikuperojmë pikët dhe të shikojmë të arrijmë atë që kemi përpara. Pastaj në fund fare bëhet llogaritë. Gara është e gjatë, ka shumë pikë në lojë, por duhet t’i marrim ndeshjet 1 nga 1.