Shehi: “Duhet të jemi të qetë… të bëjmë më të mirën, për të arritur aty ku duam.”
Trajneri bardheblu Orges Shehi doli sot në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes FK Partizani-KF Tirana që do të luhet ditën e nesërme në stadiumin Air Albania. Shehi u pyet për gjendjen e skuadrës, mungesat dhe sfida e nesërme. Mëposhtë deklarata e plotë e trajnerit:
Nesër ndeshja më e rëndësishme e kampionatit? Luftohet për Europë dhe titull.
E dimë që është një ndeshje e rëndësishme. Na ndajne vetëm 4 javë nga fundi I kampionatit, të dyja skuadrat kanë objektiva, Kur javët pakësohen, cdo ndeshje merr rëndësi të madhe, Shpresoj të bëjmë më të mirën për të marrë 3 pikët.
Cfarë duhet të bëjë Tirana për të mundur Partizanin?
Unë mendoj që në futboll nuk ka këtë sezon apo sezonin tjetër, ka momente dhe momenti është nesër. Duhet të jemi të qetë dhe të mos mendojmë se bota rrotullohet rreth nesh, por duhet ta marrim si ndeshjen e rradhës që vlejnë vetëm tre pikë. Sigurisht që duke qënë të qetë dhe duke menaxhuar dozën emocionale, cdo gjë bëhet më e lehtë.
Tirana është sigurisht një skuadër që mund ta dëmtojë Partizanin, e shikoni në këtë aspekt?
Ne realisht po kalojmë një moment të mirë. Në shumë ndeshje po shfaqemi mirë, po marrim pikë, pavarësisht se mund të merrnim më shumë. Këtë moment të mirë duhet ta tregojmë edhe nesër. Është ndeshje e rëndësishëm duke marrë parasysh që edhe pak ka mbetur.
E ndjeni ju që kjo ndeshje është vendimtare për objektivat?
Është çelësi i të gjithë objektivit, pas kësaj janë vetëm 3 ndeshje. Duke ditur rëndësinë që ka derbi, mendoj se është pika kyçe e gjithë këtij sezoni. Duhet të bëjmë më të mirën, për të arritur aty ku duam, pra minimalisht të kapim kupat e Europës.
Do t’ju mjaftonte një barazim?
Për skuadrën që drejtoj, në futemi në fushë gjithmonë vetëm për fitore. Derbi i ka të gjitha rezultatet, por ne luajmë vetëm për fitore.
Gjendja psikologjike e skuadrës?
Në aspektin psikologjik jemi mirë. Si në gjendjen fizike dhe në atë psikologjike, skuadra është e mirë. E presim derbin të qetë dhe me besim se mund të marrim më të mirën. Emocionet e derbit duket që këtu se sa kamera ka. Unë nuk thashë që jemi të favorizuar, nuk mendoj se ka të favorizuar në derbi. Nuk shikohet renditja, edhe kur skuadrat kanë qenë në pozita ndryshe në renditje, derbi ka qenë i luftuar. Kështu do të jetë edhe nesër.
Ne nuk duhet ta ngarkojmë veten më shumë sesa duhet. Është një ndeshje që vlen 3 pikë. Duhet të jetojmë momentin. Derbit nuk janë të përjetshëm, janë momentale dhe duhet ta shijojmë momentin.