Seferi: “Nuk jam menduar shumë që të pranoja Tiranën. Eshtë klubi më i madh në Shqipëri… Jam gjithmonë gati.”
Lojtari Taulan Seferi i huazuar nga klubi i madh zviceran Young Boys u zyrtarizua sot në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”. Pas një shtrëngimi duarsh me presidentin e klubit Refik Halili, ky i fundit i dhuroi lojtarit fanellën e klubit duke e bërë Seferin zyrtarisht pjesë të familjes bardheblu. Më poshtë deklarata e plotë e lojtarit:
Po ju tregoj se kisha një parakontratë me një ekip në Zvicër dhe po qëndroja në shtëpi. Më mori drejtori sportiv i klubit Tefik Osmani në telefon dhe kisha një bisedë shumë të mirë. E njoh që më parë pasi jemi miq. Nesër morëm ofertën, hymë në negociata dhe çdo gjë shkoi mirë. Ky jo vetëm që është klubi më i madh në Shqipëri, por është ndër më të mirët edhe në Ballkan. Nuk jam menduar shumë që të pranoja Tiranën, do ta ndihmoj Tiranën, por dhe ajo do të më ndihmojë mua në karrierë. Disa ndeshje i kam parë. Futbolli këtu ka më shumë nivel se Kosova dhe Maqedonia. Besoj se do të përshtatem shpejt. Shpresoj të fitoj një eksperiencë shumë të mirë me klubin në këto 6 muaj. Uroj të dalim të gjithë të kënaqur.
Nesër do dal në stërvitje, të mendojmë për Kastriotin. Pastaj do të vijë dhe radha e Partizanit, natyrisht që e mendoj derbin dhe dua të jem pjesë e lojës. Jam gjithmonë gati.