Press Conference Egnatia-Tirana 15/04/2022
Ne prag te ndeshjes Egnatia-Tirana qe pritet te luhet diten e neserme ne oren 13:45 ne stadiumin “Arena Egnatia”, perpara kamerave ka folur trajneri Orges Shehi. Tekniku ka analizuar ndeshjen e rradhes, gjendjen e skuadres dhe punen e zhvilluar deri tani. Meposhte deklarata e plote e trajnerit:
Ndeshja ndaj Egnatias? – Përballemi me një skuadër që ka bërë mirë. Edhe më përpara ka qenë me kontigjentë lojtarësh cilësorë. Çdo skuadër ka objektivat e veta, dhe gjatë rrugës objektivat ndryshojnë. Më parë objektivi i tyre ishte mbijetesa, tani mbase synimi i tyre është shmangja e zonës që mund t’i dërgojë në ‘Play-Out’. Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë sepse do të luajmë në fushën e tyre. Do të përballemi me një skuadër që është për tu respektuar dhe do të tregojmë maksimumin.
Sa te veshtire e ben diferenca e pikeve motivimin e skuadres? – Sidomos këto dy javët e fundit është kjo vështirësia e karikimit të skuadrës. Distanca është relativisht e madhe me ndjekësit tanë. Sic e kam thene edhe me pare, gara tani është me veten tonë në këto momente dhe duhet të jemi sa më shumë kërkues, që të shfaqim më të mirën tonë. Kundërshtari ka cilësi dhe ne duhet të jemi me përqendrim maksimal.
Minutazhi i lojtarëve? Do te kete rrotacion? – Të gjithë lojtarët që janë në organikën tonë kanë pasur minuta. Është normale që në kampionat, jo të gjithë të kenë minutazhin e plotë. Një pjesë kanë minuta më shumë dhe do të vazhdojmë që të fusim lojtarë, por edhe elementin e ri duke mos prishur strukturën. Lojtarët e ri shprehen më mirë dhe e kanë më të thjeshtë për tu ingranuar me skuadrën për të qenë më kompetitiv. Nesër mendoj se do të hedh formacionin më të mirë të mundshëm.
Tirana ka ecur me 100 km ne ore, puna e zhvilluar? – Kemi bërë një kampionat të mirë, kemi qenë gjithmonë në vazhdimësi. Mendoj se te futbolli, pjesa më e rëndësishme është vazhdimësia dhe skuadra në çdo fazë është shfaqur mirë. Ky është fryt i punës së madhe që është bërë. Jemi të kënaqur me këtë ecuri, por duhet të përmirësohemi edhe më shumë sepse ka vend për përmirësim.
Cfare do te deshironit ti merni me shume ketij sezoni? – Të kemi një fytyrë. Të jemi gjithmonë ai ekip që kemi qenë. Sigurisht eshte e veshtire, por ne jemi skuader pa limite dhe kerkojme gjithmone me te miren.