Lika: “Që në momentin që ne në uniformë kemi këtë stemë jemi të detyruar që të japim maksimumin dhe të ndjekim objektivat.”
Ilion Lika ishte lojtari që doli në krah të trajnerit Shehi në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së parë të Kampionatit, KF Tirana-FK Skenderbeu. Portieri bardheblu u pyet për startimin e kampionatin, kontigjentin dhe objektivat e sezonit. Mëposhtë deklarata e plotë e lojtarit.
Formacioni – Nuk e di akoma nëse jam titullar apo jo. Unë po flas si një lojtar i Tiranës dhe jo si titullar, që jam i gatshëm gjithmonë që duhet ta ndihmoj. Formacionin nuk e ka qartësuar trajneri, nuk e di nga e keni marrë ketë informacion, gjithsesi unë jam i gatshëm. Është Bekaj ai që është titullar i Tiranës dhe mu bë shumë qejfin që doli negativ në testet e COVID-19.
Ish-shokët trajner – Është diçka ndryshe që të shohësh ish-shokët e mi të skuadrës trajner, është kënaqësi dhe mundohem që ti respektoj brenda fushës ndërsa jashtë saj mbetemi shokë, vëllezër.
Atmosfera – Atmosfera është e mirë, kemi pasur kohë mjaftueshëm për tu përgatitur. Shoh dhe shokët e skuadrës që nesër të shfaqin potencialin e tyre.
Rivalët – Të gjithë ekipet janë pretendente të gjitha skuadrat e Superiores janë të forta, duke futur këtu dhe Skënderbeun që ka djem të rinj dhe kualitete. Nuk shoh diferenca fare, duhet të kemi kujdes dhe të mundohemi që ta nisim mbarë me një fitore, sepse një fillim i mbarë është gjysma e punës.
Objektivat – Që në momentin që ne në uniformë kemi këtë stemë jemi të detyruar që të japim maksimumin dhe të ndjekim objektivat. Ne do të futemi në fushë për të arritur të gjithë objektivat. Merkato është bërë e mirë, stafi drejtues kanë punuar në maksimum, presidenti ka sakrifikuar për të bërë një ekip shumë të mirë. Me të gjitha gjasat janë që ne të garojmë për objektivat maksimal, por ne do të punojmë fort.
Dinamo – Gjej rastin që të uroj dhe Dinamon që u rikthyer në Superiore, është një aset i vyer i kampionatit shqiptar, fillimet e mia i kam pasur tek ai ekip dhe nuk i harroj. Është një ekip që e zbukuron kampionatin shqiptar.
Skuadrat e tjera – Nuk më interesojnë çfarë thonë skuadrat e tjera, ne na intereson puna jonë, objektivat tanë. Ne do të hyjmë në fushë për të mundur çdo skuadër, qoftë Dinamon edhe Partizanin, dhe çdo skuadër tjetër.