– Profesor, pas ndeshjeve të Kombëtares duket se ky është momenti i duhur për Tiranën për të rikuperuar lojtarët dhe për t’i përshtatur sipas skemës suaj? Është e vërtetë që kjo fazë na ka shërbyer shumë, por nuk janë gjërat aq të thjeshta sa duken nga jashtë. Dhe unë jam i shqetësuar për problemin që para çdo ndeshje te Tirana krijohet një tollumbace që sikur i fusim një shuplakë të rinjve dhe do të bëjmë namin kundër Skënderbeut. Ne nuk jemi në këtë situatë. Kemi pasur probleme me dëmtimet. Shumë futbollistë kanë qenë pjesë e Kombëtares dhe është stërvitur një pjesë e mirë e grupit. Do të ndihmojnë dhe do të kontribuojnë, pastaj do të shohim se ku jemi sepse asnjëri nga ne nuk pretendon që në pak kohë të ndërtojë një lojë brilante ose një skuadër të fortë. Por, do të japim maksimumin do të jetë e sigurtë. Kemi pasur dhe dëmtime, që disa prej lojtarëve kanë një kontroll të fundit te ortopedi me spitalin ku kemi kontratë. Më pas do të shohim se si do të jetë.

– Ju shqetëson gjendja fizike e Ngoo-së dhe e Dungës? Pikërisht për këta lojtarë bëhet fjalë që do të kenë një kontroll mjekësor. Ata kanë pasur dëshirë për t’u stërvitur dhe kanë treguar profesionalitet duke dhënë maksimumin pavarësisht se problemet e tyre shëndetësore kanë qenë evidente. Por, janë munduar të japin maksimumin. – Si do ta mbuloni ju këtë problem? Jo vetëm në këtë situatë, por ne duhet të zgjedhim dhe alternativa të tjera në sulm që mos të jemi të varur nga një lojtar. Pra kemi shumë lojtarë që mund të luajnë shumë mirë në vijën e parë të sulmit.

– Me Skënderbeun, objektivi është fitorja? Në asnjë ndeshje ne nuk hyjmë për t’u barazuar ose për ta humbur atë. Ne hyjmë në çdo sfidë për ta fituar. Kjo është ajo që ne kemi pasur, ka dhe ka pasur ky klub gjatë gjithë historisë së tij.

– Mungesat mund të iu justifikojnë? Nuk ka justifikime për rezultatet. Për rezultatet mbaj vetëm unë përgjegjësi. Futbollistët mbajnë përgjegjësi vetëm për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Për rezultatet negative do të jem unë që do të mbaj përgjegjësi. Futbollistët t’i heqim nga kjo përgjegjësi për t’i hequr presionin.

– A është skuadra aty ku duhet? Çdo skuadër ka nevojë për përmirësim. Ne kemi nevojë shumë për t’u përmirësuar. Ai vjen me orë pune dhe jo me fjalë, nuk vjen me media, nuk vjen me gazetë. Po ta shikoni jemi shtruar mirë me punë.

– Sa i bindur jeni që Hasani mund ta mbulojë mirë rolin e sulmit? Hasani ka bërë shumë mirë kur është shfaqur në linjën e parë të sulmit dhe është golashënues i mirëfilltë i kampionatit shqiptar dhe mund të na ndihmojë shumë në këtë aspekt.

SHPËRNDAJE