Erjon Xhafa – Kupa ka një specifikë tjetër nga kampionati

Erjon Xhafa, zëvendëstrajneri i Tiranës, ka dalë sot para mediave për të folur në lidhje me ndeshjen që bardheblutë zhvillojnë kundër Flamurtarit në Kupë. Ndeshje që zhvillohet nesër në orën 17:00 në “Selman Stërmasi”.

“Kupa ka një specifikë tjetër nga kampionati, ku 90 minuta vendosin. Këtu duhet të luajmë edhe me llogaritë e ndeshjes së dytë, që do të thotë që nuk mund të kalojmë në aventurë që në ndeshjen e parë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse na jep mundësinë edhe ndeshja e kthimit të kemi kohë për rikuperimin e takimit”.

KRIZA E FLAMURTARIT – “Ne nuk shohim në shtëpinë e tjetrit, shohim problemet tona. Flamurtari mund të ketë probleme nga më të ndryshmet, ama kontingjenti, stafi, trajneri janë ata që mbyllën kampionatin. Nuk mendoj se një lojtar kur futet në fushë mendon problemet që ka. Ai futet dhe jep më të mirën për të marrë atë rezultat që kërkon”.

“Pritshmëritë në ndeshjen e nesërme? Nuk presim diçka ndryshe, por të jemi po ata dhe të mos i jetë ulur përqendrimi lojtarëve. Ndeshjen e fundit pati entuziazëm dhe luftë nga ekipi ynë. Presim të njëjtën gjë nga futbollistët tanë. Po nuk na u përgjigj ekipi ynë, nuk presim nga kundërshtari. Ata bëjnë lojën e tyre dhe bëjnë llogaritë e tyre. Duhet të jemi të kujdesshëm te kjo pjesë”.

KONTIGJENTI – “Trajneri është shprehur normalisht. Besoj se edhe ekipet e vendeve të para, po t’i pyesësh, besoj se kanë nevojë për 2-3 përforcime. Gjithmonë është mirë që të kesh sa më shumë. Ne besoj jemi të kënaqur me atë kontingjent që kemi, do punojmë me atë kontingjent dhe shpresojmë t’u marrim më të mirën. E kemi të mundur t’i përballojmë të dyja kompeticionet”.

“A ka nevojë skuadra për afrime? E thashë edhe më parë, çdo skuadër ka nevojë. Merkato e janarit ka një problem, që nuk të ofron shumë mundësi. Ndonjëherë mendon se po bën përforcime, por merr lojtarë që nuk janë të nevojshëm. Për këtë nuk kemi nevojë. Kemi një kontingjent që them se i përballojmë të dy kompeticionet. Nëse do ishte mundësia për ndonjë lojtarë që do të bënte me të vërtetë diferencën dhe do na bënte punë, do ishim të kënaqur. Përndryshe do ishim mirë”.

PUNA SPECIFIKE NË STËRVITJE – “Duke qenë se kam qenë mbrojtës, Mema ma ka dhënë mua mundësinë të merrem me atë repart, me lëvizjet, me harmonizimin e mbrojtjes. Kur ka gjëra specifike për mbrojtjen trajneri ma lë mua dhe merret me pjesën lart të ekipit. Kjo pasi është diçka e imja natyrale”.