Egbo: “Test pozitiv, të mbajme ritmin”
Tirana zhvilloi sot ndeshjen e parë miqësore në Antalya përballë Analyaspor. Pas përfundimit të takimit, trajneri Emanuel Egbo u shpreh i kënaqur nga loja që skuadra zhvilloi, pavarësisht rezultatit. Sipas Egbo, kjo ishte ndeshja e parë pas 3 seancave stërvitore duke marrë sinjale pozitive nga gjëndja fizike e skuadrës.
“Ishte ndeshja jonë e parë miqësore dhe në të vërtetë jam i kënaqur nga ajo cka djemtë dhanë në fushën e lojës. Pavarësisht se rezultati nuk ishte në favorin tonë, sot aktivizuam një pjesë të mirë të futbollistëve që kemi në dispozicion. Disa lojtarë luajtën 90′ minuta, por të tjerë u zëvëndësuan për të ruajtur ndonjë dëmtim të mundshëm mirëpo edhe nga ata mora sinjale pozitive. Në përgjithësi ishte një test pozitiv dhe ekipi u shpreh mirë në fushën e lojës duke treguar ritëm dhe me kalimin e minutave fituam edhe besim. Sigurisht që është vetëm fillimi dhe pres akoma më tepër nga skuadra pasi Alanyaspor nuk është kundërshtari ynë në kampionat, por është një test i mirë për të matur forcat tona. Do të vazhdojmë të punojmë fort pasi kushtet janë të mira, klima është e duhura dhe në program kemi edhe dy ndeshje të tjera për të luajtur këtu në Antalya. E rëndësishme është të ruajmë ritmin dhe të vazhdojmë sëbashku aty ku ne mbyllëm vitin 2019” u shpreh trajneri Emanuel Egbo.