Deklaratë për shtyp

KF Tirana në kuadër të ristrukturimeve të brendshme në klub, ka bërë disa ndryshime të rëndësishme. Një nga figurat më të njohura në komunitetin bardheblu, Krenar Alimehmeti, ka marrë detyrën e drejtorit të Akademisë së Tiranës. Prej ditësh ka nisur puna për ndryshime të brendshme në strukturat e shkollës bardheblu të futbollit. Ky sezon i ri futbollistik do të sjellë ndryshime cilësore jo vetëm në infrastrukturën sportive por dhe në burimet njerëzore. Duke nisur prej ekipit të parë U-7 dhe deri tek skuadra e 19-vjeçarëve, të gjithë ekipet bardheblu do të vishen njësoj si skuadra e parë, nën logon e kompanisë “Macron”. Kushte më të mira për t’u stërvitur si dhe një staf i kualifikuar do ti vihet në dispozicion të gjithë ekipeve të Tiranës.

Klubi fton të gjithë trajnerët e liçensuar dhe me eksperiencë pune që duan ti bashkohej këtij projekti të ri dhe ambicioz, të sjellin CV-të e tyre pranë zyrave të stadiumit “Selman Stërmasi” ose në adresën e e-mailit kontakt@kftirana.al. Afati i fundit për pranimin e CV-ve është dita e martë, 13 shtator 2016. Gjithashtu janë të ftuar të gjithë fëmijët, futbollistët e vegjël, që duan të jenë pjesë e të ardhmes bardheblu të nxitojnë për t’u regjistruar pranë zyrave të stadiumit “Selman Stërmasi” ose pranë zyrave në kompleksin “Skënder Halili”.

Faleminderit

Powered by Live Score & Live Score App