Dede: “Kur të fton një ekip si Tirana është e vështirë ti thuash jo. Unë u ktheva në shtëpinë time, jam brenda ADN-së…”
E vlerësova të arsyeshme ftesën që erdhi në momentin e duhur nga presidenti Halili. Unë lash pas një punë dhe një projekt për të cilin po punonim prej kohësh tashmë. E falenderoj presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armand Duka për hapsirën që me ka dhënë në angazhimet e mia me kombëtaren ku përvec kontributeve edhe unë kisha arritjet e mia personale dhe profesionale. Falenderoj gjithashtu të gjithë stafin drejtues.
Kur të fton një ekip si Tirana është e vështirë ti thuash jo. Unë u ktheva në shtëpinë time, jam brenda ADN-së dhe besoj se do ti jap një mbështetje rritjes së elementëve të rinj e të shpresojmë për një të ardhme sa më të suksesshme.
Cfarë keni biseduar më parë me presidentin?
Komunikova me z. Halili vetëm dje pasdite dhe nuk e prisja kaq shpejt. Eshtë një Tiranë që ka një organikë shumë të mirë lojtarësh, është ndërtuar kjo skuadër për të mbrojtur titullin.
Si e vlerësoni gjendjen e ekipit?
Të jem i sinqertë, e kam ndjekur në miqësore. Të tjerat i kam ndjekur në televizor. Ka fituar në Korçë dhe ka humbur me Teutën. Nga dita e hënë do plotësohet dhe stafi, do ta prekim ekipin dhe do të them çfarë do të bëjmë më mirë. E rëndësishme është të krijojmë një klimë të duhur pozitive që njerëzit ndihen mirë. Kur njerëzit ndihen mirë, atëherë japin dhe më mirë. Bashkëpunimi është kyçi që kërkoj. Nuk dua të trazoj asgjë. Përgjegjësia do të shpërndahet në të gjitha stafet, në fund vendos unë dhe jap llogari para presidentit.
Objektivi juaj këtë sezon?
Objektivi është që Tirana të dali kampion. Duhet të harrojmë që kemi dalë njëherë kampion, duhet të mendojmë si do të dalim përsëri. Tirana lufton gjithmonë për titullin kampion, e ka të shkruar në ADN. Janë të shpallura objektivat në histori kur është krijuar. Kemi një punë shumë të madhe përpara. Kur pranoj të drejtoj Tiranën, uroj të jetë e treta e vërteta.
Keni biseduar me Egbon pas largimit te tij?
Nuk kam biseduar me Egbonë. Kjo shtëpi i ka bazat të shëndetshme dhe të forta. Kur futem te kjo shtëpi ndihem mirë. Falenderimi i shkon për të gjitha stafet paraardhësse dhe për Emanuelin.
Kudo në çdo klub të botës që bëjnë cikle, ka një fillim ka dhe një mbarim. E rëndësishme është që Tirana të jetë në mendësinë e saj dhe të jetë e qartë në atë se çfarë do. Klima është e duhur. Nuk e mohoj dot faktin që historia e madhe e këtij klubi e vendos gjithmonë në qendër të vëmendjes. Këtu zien edhe kur fiton, jo më kur nuk ka rezultate. Kur ka rezultate pozitive, jo se harrohen, sfumohen nga suskesi, natyra njerëzore mendon pozitivisht, se po të mendojë gjithmonë hallet që ka, shoqëria jonë nuk do të shikonte gjëra të bukura.
Historia është e thjeshtë, kemi marrëdhënie kontraktuale. Kur firmosim, duhet të japim më të mirën. Nuk do të thotë se ke të drejtë apo gabim, por drejtuesit kur e shohin të arsyeshme që mbyllet bashkëpunimi, s’ka pse të ketë qejfmbetje. Këto janë marrëdhënie kontraktuale. Kam fatin që jam në fillim të sezonit. Nuk mund të gjykoj dhe paragjykoj për gjëra që nuk kam qenë pjesë. Më mbetet vetëm t’i falenderoj, ata që kanë qenë para nesh. Tani të mendojmë përpara.
Kontrata?
Kontrata është dyvjeçare. Është projekt i mirë, kjo më bind t’i shikoj gjërat me qetësi, profesionalizem dhe me besim të madh.
Cili është prioriteri kete sezon?
Në fund fare, Tirana ka rëndësi të fitojë. Nëse klubi është i suksesshëm dhe se sa i zoti që i jep hapësira lojtarëve të rinj, është shumë herë më mirë për futbollin shqiptar. Do jetë idealja për ne.
Sa ndikon fakti qe eshtë hera e tretë që drejton Tiranën?
Jam rritur në shumë aspekte, isha trajner pas 5 muajsh kur lashë futbollin. E rëndësishme është të reflektosh dhe të rregullosh dhe ato gabime që ke bërë. Kush ha bukë, bën dhe thërrime. E rëndësishme është sa thërrime do bësh”, u shpreh Nevil Dede si trajner i Tiranës.