Batha: “Nuk mendojmë për derbin, mendojmë për ndeshjen e rradhës, Bylis ka treguar se është kockë e fortë.”

Kapiteni Idriz Batha, foli në një prononcim për mediat në prag të sfidës së ditës së nesërme ndaj Bylisit. Në deklaratën e tij ai u shpreh si mëposhtë:

Sa ju kanë vlejtur këtë pak ditë për të rikuperuar nga zhgënjimi i humbjes me Vllazninë?
Çdo ditë që kalon, me trajnerin e ri që kërkon të fusë idetë e tij në ekip është në favorin tonë. Mendoj dhe shpresoj që të mos përsërisim të njëjtat gabime që bëmë ndeshjen e fundit. Sa më shumë t’i afrohemi idesë së trajnerit, aq më mirë do të jetë për të gjithë.


Çfarë nuk shkoi në Shkodër?
Kjo që sapo thashë. Mendoj që kishim pak ditë në dispozicion për t’u përshtatur me stilin e ri të lojës. Nuk bëmë një lojë brilante, por që kishim mundësitë tona për ta fituar ndeshjen.


Çfarë strategjie keni për nesër?
Bylis është një skuadër që ka treguar se është kockë e fortë për të gjithë ekipet. Është skuadër agresive, mendoj që do t’i marrim masat dhe shpresoj të bëhet lojë e bukur.


A e mendoni derbin?
Të jem i sinqertë nuk e mendoj derbin. Kemi 2 ndeshje finale para se të shkojmë te derbi. Në situatën që jemi, me pikët që kemi grumbulluar. Nuk na lejohet ta kemi mendjen te derbi, por te ndeshjet e radhës.