Ardian Mema: Duhet tu kthehemi fitoreve

DËMTIMET – “Futbolli i tillë është, ka edhe dëmtime e kartonë. I gjithë grupi do jetë gati, veç Dajës që është me kartonë. I gjithë ekipi është për ndeshjen me Flamurtarin”.

LOJA ME LAÇIN – “Me Laçin ekipi nuk më pëlqeu si luajti. Ndoshta vuajti presionin dhe doli jashtë detyrave. Kemi qenë gjithë kohën ne duke luajtur topin. Ishte një moment jo i mirë. Ekipi ka një mënyrë loje, sidomos me topin. Atë ditë ishte ndryshe. Administrimi i rezultatit solli çrregullimin e lojës tonë. Ekipi nuk ishte mirë atë ditë. Pjesa më e madhe e lojtarëve nuk ishin të përqendruar. Disa lojtarë bënë faulle e gabime. Gjithsesi të shohim përpara, kemi ndeshje të rëndësishme dhe medoemos duhet përqendrim për të marrë pikët. Na duhen pikët, jo lojërat e bukura. Rezultatet të ngjitin sipër dhe të japin qetësi”.

ALEANCAT  – “Ndoshta këto konfliktet pas ndeshjes kanë ndikuar. Por atmosfera në Laç ishte e qetë. Duhet ta gjej te vetja. Nuk dua të krijoj skenare kot. Jam trajner dhe i përkas fushës, jo grushteve apo skenarëve që ndodhin në Shqipëri. Më shqetësojnë aleancat. Në vazhdim mund të ketë aleanca që mund të dëmtojnë Tiranën. Duhet të punoj me ekipin për të menaxhuar ndeshjet. Ky ekip mund t’i kthehet lojërave e rezultateve. Problemin e parë na e shkaktoi Kruja, me probleme që media i raportoi. Ekipin duhet ta mbaj të përqendruar, nën vëzhgim, në mënyrë që të mos kemi problemet e ndeshjeve të fundit. Duhet të luftojmë të marrim sërish rezultatet e fazës së tretë, ku mundëm edhe ekipet e kreut. Pati një moment që ishim të qetë, edhe unë. E shikoja se ekipi kishte mundësi të përballje me kudo”.

“Edhe nëse nuk e kam qetësinë e duhur, do ta gjej. Në Fushë-Krujë u shqetësuam disi që kur ndryshoi fusha. Laçi luajti në fushë asnjanëse me ta. Nuk më duket e drejtë që u lejua. Kjo na shqetëson disi, ajo për pjesën e aleancave. Do gjej qetësinë e duhur, nuk dua t’i transmetoje energji negative lojtarëve të mi. Duhet të jemi të karikuar dhe t’i shohim gjërat te vetja”.

SFIDA E KASTRIOTIT – “Nuk është një fushë e mirë, por Kukësi ka cilësi të mira. Do jetë ndeshje e fortë. Fusha ndonjëherë barazon të mirin me të dobëtit. Kukësi ka planet e veta. Të gjithë jetojmë me shpresë për të realizuar objektivat tona. Kukësi mund të fitojë dhe të humbasë nesër. Shpresoj të bëjë mirë punët për veten e vet. Ne shohim pjesën tonë, nuk shohim të tjerët. Llogari bëhen për të gjitha ndeshjet. Nëse do ketë ngjarje si na ndodhi ne, do i bëjë dëm futbollit. Ne na vë pak në vështirësi. Ky ekip ka mundësi të rikthehet”.

RASTET E HUMBURA – Çdo trajner mendon ta çojë ekipin te porta kundërshtare. Ne kemi pasur raste. Nuk mund të them përqendrim, por përgjegjshmëri. Nuk mendoj si mund ta humbë një lojtar atë lloj rasti, si Hasani. Kam folur me të dhe i kam kërkuar përgjegjshmëri. Një gol në minutën e 12-të na bënte të jemi komodë. Te ne duhet të ketë përgjegjshmëri të lartë. Ua kam thënë, ne kemi pikëte nevojshme, jo spektaklin”.

VLONJATËT – “Flamurtari ka pasur largime. Janë ekip i mirë dhe kanë trajner shumë të mirë, që di të përgatitë mirë ndeshjet. Me ta kemi pasur rezultate të barabarta. Do mundohemi të kemi ekuilibër, që të mos pësojmë. Do kërkojmë të shënojmë. Jemi klubi që i pranojmë të tria rezultat. Duhet kujdes dhe qetësi. Shpresojmë të marrim rezultat pozitiv. Lojtarët kanë pasur pak tension, pasi për pak na rrëshqiti këmbë ndeshjen e fundit. Duhet të punoj në aspektin psikologjik më së shumti”.

“Kur i ke pikët dhe nuk rrezikon, je më lirshëm se kundërshtari. Tensioni tek ekipi që nuk është mirë në pozicion, edhe kur ka diferencë në cilësi, ndikon negativisht. Nuk kemi çfarë humbin, duhet të bëjmë detyrën tonë në çdo lloj ndeshje”.

GRECA – “Ai ka luajtur në të njëjtin pozicion, ka asistuar, s’ka shënuar. Këto ndeshjet e fundit i ka munguar edhe asisti, ndaj më ka ngacmuar pak. Njihen oshilacionet. Ne jemi munduar të flasim me të gjithë lojtarët. Besoj se punët tona i kemi bërë mirë, sa i takon mënyrës së komunikimit. Çdo lojtar bën gabimet e veta. Një lojtar duhet të dijë të sillet në fushë, në raport me partnerin pas apo me ekipin. Me rëndësi është që lojtari të jetë i qetë. Ndoshta në vazhdim do jetë më rezultativ. Ngritja e individëve rrit grupin dhe vijnë edhe rezultatet. Ka lojtarë q mezi e pranojnë pjesën e shpjegimit”.

GOLAT E PËSUAR – “Na ka gabuar dy herë Kërçiku. Ai është me shumë eksperiencë dhe nuk ishte e nevojshme të bënte ata ndërhyrje, te të dyja ndeshjet. Morëm edhe topa pas shpine, jo vetëm nga qendra, por edhe nga krahët. Tani jemi të plotë”.