Batha- “Eshtë privilegj të luash në këtë nivel, jemi gati, shpresojmë të jemi mirë dhe të vendosur.”
Në prag të ndeshjes përballë Young Boys kapiteni Idriz Batha së bashku me trajnerin Emmanuel Egbo ju përgjigjën pyetjeve të gazetarëve. Për median kapiteni u shpreh se:
“Jam mirë, besoj se e kam kaluar dëmtimin dhe jam në 95 përqind të formës. Është privilegj që të luash në këtë nivel sepse lojtarëve shqiptar nuk iu jepet shpesh mundësia që të luajnë në takime të tilla. Ndeshje të tilla vendosen nga episode. Këtu është diferenca, sepse nëse gabojmë ata kanë për të na ndëshkuar, të shpresojmë që të jemi mirë dhe të vendosur. Më mirë të luajmë keq edhe të fitojmë sesa loja e mirë të na sjellë humbje.
Si është atmosfera në ekip? Ndeshje të tilla priten me padurim. Çunat kanë besim dhe kemi zhvilluar edhe ndeshje të tjera dhe nuk ka shumë diferenca, nëse je I përqëndruar gjithçka mund të ndodhë. Gjendja fizike është e mirë sepse kemi bërë edhe fazën përgatitore. Ndeshjet të japin ritmin. A ndjen përgjegjësi si kapiten? Duke njohur veten nuk besoj se do ndikojë negativisht me tipin tim, sigurisht që ndiej përgjegjësi. Ne e kemi ndjekur në video analiza dhe kanë element cilësor. Pjesa offensive flet vetë, kanë lojtarë që kushtojnë shumë”, tha Batha.