Ardian Mema

Një transfertë e vështirë me Teutën. I keni marrë masat për të marrë tre pikët?
-E kishim përgatitur ndeshjen për të luajtur në Elbasan, por u kthye çdo gjë mbrapsht. Do luajmë në Shijak, kjo na prish punë. Ishim përgatitur për fushë të mirë. Gjithsesi fusha është e njëjtë për të dyja ekipet. Kur të njohim terrenin kemi lënë edhe opsione të tjera si do manovrojmë. Teuta është ekip i fortë, ekip solid. Kanë lojtarë të mirë në mesfushë dhe luftojnë shumë . Kush të jetë më i zoti të fitojë. Nuk di si të mendoj te pjesa e terrenit, pasi ndikon te mënyra si jemi përgatitur gjatë gjithë javës.

Ardian Mema

Terreni nuk është i mirë, por është më i mirë se në Fushë-Krujë ku Tirana fitoi me Kastriotin. Mund të luhet për një pikë?
-Tirana nuk ka kohë për të humbur. Do marrë në konsideratë çdo ndeshje për ta fituar. Sa të zotë do jemi, do e tregojë fusha. Gjithsesi në ekip duhet futur mentaliteti fitues dhe kam punuar për këtë që ditën e parë.. Kemi bërë ndryshime gjatë gjithë kohës dhe deri më tani ka rezultuar pozitive. Ekipi ka pasur mundësi shënimi, por fati nganjëherë është shumë i rëndësishëm në futboll. Kishim në 3-4 raste mundësinë për të dyfishuar rezultatin me Kamzën, patëm edhe problemin me golin që pësuam. Megjithatë janë normale në futboll, secili bën gabime dhe ekipi ndëshkohet. Ndoshta mund të kishim edhe ne fat që të mos pësonim.

Sa i takon anës psikologjike, a do jetë Tirana e filozofisë tuaj kundër Teutës?
-Lojtarët më janë përgjigjur, sidomos te pjesa që kemi diskutuar në ekip. Përgjigja nuk është me fjalë, por se si sillet. Secili nga lojtarët ka bërë maksimumin, sigurisht nivelet e lojtarëve janë të ndryshme. janë munduar ta fitojnë ndeshjen dhe për të dhënë më të mirën.

Vazhdoni të penalizoheni, por si do e zgjidhni këtë situatë?
-Mendoj gjithë kohen se kush janë lojtarët e gatshëm për të menaxhuar ndeshjen. Është me rëndësi që në momentin që janë në fushë të japin më të mirën për veten e tyre. Nuk shoh gabimet më shumë se sa shoh kush është i gatshëm për të luajtur. Mund të jetë dikush që vjen nga bankina dhe të luajë shumë mirë. kështu zë formacionin. Ua kam thënë futbollistëve, duhet ta fitojnë formacionin. Nuk ua jap. Unë jam për të zgjedhur kush është më i miri.

A keni besim te ky grup lojtarësh, apo duhen përforcime?
-Janari është larg. Puna është si do përshtatemi gjatë kësaj periudhe. Lojtarët nuk është se kanë luajtur keq për kohën që jam këtu. Kanë treguar që kanë vlera dhe ato do vijnë për t’u rritur. Do punoj me stafin për t’i rritur lojtarët individualisht dhe si grup. kemi diskutuar edhe me lojtarët, që duhet të luajmë si grup. Në këto momente është shumë i rëndësishëm grupi.

Sa i takon gabimeve, ju keni përdorur fjalë që lojtarët ndoshta i vënë nën presion…
-Në momentet kur jam pyetur pas ndeshjes, kam thënë diçka që i qëndroj. Problemi është se në një javë nuk u mora me askënd në ekip për faktin se si luajti. Gjatë gjithë kohës u morën me dy lojtarë. Kam thënë që unë jam trajner i Tiranës, nuk jam trajner i fëmijëve. Sa i takon gabimeve, ua thashë edhe më parë: kjo është lojë me gabime, por në kushtet se si i lexoj lojtarët, është çështje e mbyllur. Nuk i dënoj lojtarët nga gabimet. Ata dalin në stol kur nuk stërviten mirë, kur nuk janë në gjendje të luajnë. Këto janë ato që unë mendoj. Ka edhe gabime, por secili duhet të përmirësohet dhe të rritet, kjo është puna jonë. Nuk jam këtu për të ndëshkuar lojtarët, kam luajtur edhe vetë, kam gabuar. Nuk është arsye të merrem me lojtarët.

Si është situata me dëmtimet e lojtarëve?
-Dokën e ndërrova për ta ruajtur. Dëmtimet janë evidente, Doka do jetë pjesë e grupit. Blazhevski ka nisur dje me grupin dhe është e pamjaftueshme për këtë javë. Do shohim në vazhdim gjendjen e tij. Më gëzon fakti që po kthehen futbollistët gradualisht dhe do luajë kush e meriton.

Goli është një tjetër problem. Si do e zgjidhni?
-Goli është instinkt natyral. E rëndësishme për mua është që ekipi është shprehur dhe ka shkuar në sulm me pesë vetë. Kjo më gëzon. Kemi pasur mundësi nga më të ndryshme, manovrat na kanë dalë efikase. Kemi humbur 7 raste në këto ndeshje. Po të kesh 3-4 raste ke mundësi të fitosh. Kaq janë rastet dhe duhet ta fitojë ndeshje. Pastaj është çështje se duhet punuar vazhdimisht me sulmuesit, me ata që vijnë nga linja e dytë dhe nga krahët. Gjëja e parë që shihet a shkon te porta kundërshtare. Hapi i dytë është kjo që ju më pyesni.

Mos do ishte më mirë ta falnit Ngo?
-Nuk jam për të dënuar njerëz, por për të menaxhuar grupin. Për këtë duhet kujdes. Ka qenë një moment që e kam pezulluar. I thashë dil jashtë pasi goditi një me bërryl dhe me shkelm. Nuk e përzura nga ekipi, thjesht i thashë dil jashtë për veprimin që bëri. Këto janë normale në futboll. Nuk isha për ta dënuar. Por në momentin që më erdhi afër dhe më tha diçka në anglisht, që nuk ma zë goja ta them, u vu në diskutim personaliteti im para grupit. Nuk dua të them që jam unë i pari, jemi të gjithë bashkë. Do të bëjë të njëjtin veprim nëse do të fyente dikë tjetër, apo dikush tjetër dikë tjetër. Duhet disiplinë, të duam njëri-tjetrin, pasi jemi si familje. Duhet krijuar një fizionomi si klub. nëse nuk ka grup, ka probleme.

SHPËRNDAJE