KAMZA – “Është një ekip që e kam vlerësuar goxha, sepse ka lojtarë shumë të mirë në përbërje. Ka një ekuilibër si ekip dhe është e vështirë për ta fituar ndeshjen, aq më tepër me ndryshimet që kanë bërë në stafin drejtues. E kemi përgatitur ndeshjen mirë dhe luajmë në fushën tonë. Fitorja ndaj Flamurtarit ka sjellë një atmosferë tjetër në klub. Mendoj që do të jetë ndeshje e bukur dhe mund të kemi një rezultat në favorin tonë.”

EKIPI – “Pak a shumë janë të njëjtët futbollistë si ndaj Flamurtarit. Çdo ndeshje ka specifikën e vet. Kupa kërkon të kesh rezultat të mirë dhe më pas ta administrosh, ndërsa kampionati është vetëm me një ndeshje. Mendoj që lojtarët kanë luajtur mirë dhe kemi ekuilibër brenda ekipit. Për këtë arsye do të jenë të njëjtët lojtarë. Gjithsesi, çdo gjë do e tregoj fusha.”

FORMA – “Nuk është vetëm ndeshja ndaj Flamurtarit tregues. Jam i vetëdijshëm se nuk kemi arritur asgjë. Vazhdimësia do të jetë tregues dhe ndeshjet në fazën e tretë. Këto do të tregojnë se çfarë ekipi është Tirana dhe çfarë force ka si ekip.”

KUPA – “Ne nuk kemi bërë asgjë. Kualifikimi në kupë nuk ka përfunduar akoma. Duhet të jemi më këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet me radhë, duke arritur rezultatet që na nevojiten. Vetëkënaqësia të sjell në nivelet që ishim.”

MERKATO  – “Unë e kam thënë dhe më përpara, vazhdojnë bisedimet me lojtarët për të arritur akordin. Nuk është se do sjelli ndonjë ndryshim shumë të madh një ose dy lojtar që do t’i afrohen ekipit, pasi grupi është më i rëndësishëm se individi në kushtet që është Tirana. Duhet të shkojnë paralelisht gjërat, grupi duhet të mbahet ai që është. Edhe pse përforcimet do të sillnin risi dhe mund ta bënin më të fortë.”

MERKATO E KUNDËRSHTARËVE – “Nuk më intereson se kush kalon në një ekip tjetër. Më intereson ekipi im dhe gjatë gjithë kohës jam i fokusuar te lojtarët që dua të thërras në ekip. Kam dëgjuar që janë bërë blerje nga ekipe të ndryshme. Dua që te Tirana të afrohen lojtarë, ashtu siç kanë marrë ekipet e tjera, por janari dihet që është shumë i rrezikshëm për marrjen e lojtarëve. Duhet të jesh shumë i bindur për të firmosur me një lojtar dhe nuk mund të marrësh një lojtar anonim.”

SHPËRNDAJE