Ardian Mema: Duhet të vazhdojmë me fitoret
NDESHJA ME KASTRIOTIN – “Është një ndeshje delikate, një ndeshje që nëse e fitojmë na ngjit edhe më shumë. Pra na bën të shohim më shumë pjesën sipër dhe jo atë poshtë. Takim i rëndësishëm dhe për këtë kam folur edhe me lojtarët. U kam thënë djemve që na pret një ndeshje shumë e vështirë, aq më tepër që mora vesh dje që do zhvillohet në Fushë-Krujë. Nuk më bezdis ky fakt, por fusha. Nuk është në gjendje të mirë, por është e barabartë për të dyja ekipet. Gjithsesi duhet t’i bëjmë hyzmetin edhe aty ku kushtet nuk janë të mira”.
KUNDËRSHTARI – “Kastrioti është një ekip që lufton shumë, bën shumë presion. E kam marrë shumë në konsideratë fazën mbrojtëse të atyre, pasi luftojnë shumë. Edhe ne e kemi përgatitur ndeshjen dhe shpresojmë t’ia dalim me sukses”.
SITUATA NË EKIP – “Cobbina nuk do të jetë, pasi ka pësuar një dëmtim në gju. Shpresojmë të jetë në ndeshjet e ardhshme. Sentamu mund të jetë pjesë e listës së të grumbulluarve që nesër. Ka ardhur me vonesë dhe nuk mund ta fusim direkt. Ka dy muaj që ne luajmë dhe stërvitemi, i duhet koha e nevojshme. I kam bërë testet fizike javën e shkuar dhe treguan që është stërvitur dhe në gjende të përballojë lojën”.
EUFORIA – “U kam thënë lojtarëve që duhet të mbrojmë rezultatet tona. Jo rastësisht kemi ardhur këtu. Ndaj duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe të jemi ekip i madh. Ato fitojnë gjithë kohën. Ekipet e vogla kanë ato oshilacionet, që njëherë humbasin, njëherë fitojnë, ose humbasin shpesh dhe rrallë fitojnë”.
PËRMIRËSIMI I MBROJTJES – “Shpresoj të kemi bërë punë të mirë sa i takon fazës mbrojtëse dhe përqendrimit në lojë dhe stërvitje. Besoj se ka qenë me nota pozitive pjesa se si lojtarët i kanë marrë në konsideratë ndeshjet dhe stërvitjet. Nuk është vetëm përqendrimi që e ka përmirësuar mbrojtjen e Tiranës. Është një punë në vazhdimësi. E kam thënë se duhet kohë për një trajner për të rregulluar gabimet. Lojtarët më kanë kuptuar dhe kjo më gëzon. Ata kuptojnë mentalitetin dhe filozofinë time të punës”.
VENDI I KATËRT – Tirana kërkon Europën dhe një mundësi është edhe vendi i katërt, nëse Kupa fitohet nga njëri prej ekipeve të renditura në krye. Shpresojmë të fitojmë njëherë, pastaj i shohim gjërat ndryshe më pas. Nëse vazhdojmë të fitojmë, i kërkon vetë vetes të shohësh nga kreu”.
GOLEADAT ME KASTRIOTIN – “Besoj se nuk do të jetë e njëjtë. Edhe me gjysmë goli të fitojmë këtë herë, nuk ka problem, Më interesojnë më shumë tre pikët, se golat”.