Ardian Mema: Bashkë do ta kthejmë situatën në favorin tonë

Si e pritët ftesën për të marrë Tiranën?
Tirana është një klub i madh dhe unë kam dalë nga ky klub. Kisha pak skepticizëm per ftesën, jo vetem për situaten qe klubi po kalon, por dhe kalendari është shumë i vështirë. Kemi tre ndeshje jashtë, por së bashku me të gjithë grupin do ta kalojmë këtë situatë.

Cfarë mund të ndryshoni tek Tirana?
Anën psikologjike e lojtarëve eshte e renduar, që ditën e premte pasi u shkeputa me Flamurtarin erdha direkt në stërvitje. Lojtarët ishin në një gjendje jo të mirë nga ana psikologjike dhe na del si detyrë që të punojmë në këtë drejtim. Kam folur gjatë me futbollistët gjatë këtyre ditëve dhe më kanë mjaftuar për të konstatuar të gjithë problematikën që kane. Një nga gjërat që unë u kam thënë është se këtë problem nuk e kaloj dot i vetëm, ashtu si dhe lojtarët nuk mund ta kalojnë dot vetëm, por të gjithë bashkë mund t’ia dalim. Duhet të fus dhe frymën e grupit për t’iu rikthyer rezultateve të mira dhe ekipi të jetë në një atmosferë më të mirë seç është. Kjo nuk bëhet përmes deklaratave për media. Duhet të ulim kokën dhe të punojmë për të arritur rezultatet që priten nga opinioni publik. Tifozët e Tiranës duan që ta shohin ekipin e tyre në katërshen e parë të klasifikimit. Kjo arrihet vetëm nga puna.

Ju jeni pjesë e dinastisë ‘Mema’, si ju duket kjo Tiranë me kaq shumë të huaj?
Unë kam qenë pjesë i këtij klubi dhe kam lidhje shpirtërore. Idetë e mia do t’i transmetoj tek lojtarët. Grupi duhet të ketë një lloj motivimi që të dinë të paktën historinë e klubit se si ka qenë dhe si duhet të jetë. Do mundohemi që të fusim frymë të mirë në ekip. Kemi pak kohë në dispozicion.

Nga pjesë e Flamurtarit, kundër Flamurtarit?
Dua ta falënderoj klubin e Flamurtarit, pasi më priti mirë dhe u ndamë mjaft mirë, pasi më lejuan që të vij tek Tirana. Flamurtari është një ekip i mirë, pasi ka trajner Ilir Dajën, me të cilin kam punuar gjatë. Është trajneri më i mirë në Shqipëri, i cili di ta përgatisë ndeshjen shumë mirë. E njoh situatën nga brenda atje dhe mendoj se do ta përgatis skuadrën gjatë kësaj jave për këtë sfidë.

Sa ju shqetësojnë dëmtimet?
Nuk kam ardhur në një kohë të mirë sa i përket dëmtimeve. Blazhevski është dëmtuar së fundmi. Me sa fola me stafin mjekësor ka mundësi të jetë i gatshëm.

A e ka brumin skuadra për të arritur objektivat për të arritur në Kupat e Europës?
Për momentin nuk flas për objektiva dhe arsyeja është e thjeshtë. Ne duhet të dalim nga kjo gjendje ku jemi dhe më pas do të mendojmë për të tjerat.

Nëse do kishte një dëshirë për të realizuar, cila do ishte ajo?
Tirana kampione.