Trajneri Egbo: “Asnjë nënvlerësim, jemi në sprintin final”

Në prononcimin për mediat në prag të sfidës së rradhës në kampionat përballë Flamurtarit, trajneri Emanuel Egbo ka kërkuar përqëndrim dhe qetësi nga skuadra e tij pasi është sprinti final dhe normalisht është normale që skuadra të jetë e rënduar psikologjikisht. Vlerësim maksimal për Flamurtarin pavarësisht pozicionit që kundërshtari ka në tabelën e klasifikimit.

Kundër Flamurtarit, një ndeshje e fituar në letër?
Ashtu si e kam thënë gjithmonë, kjo është një nga ndeshjet më të vështira që mund të luajë një ekip pretendent. Si Flamurtari, ashtu dhe Luftëtari janë njësoj për ne me gjithë skuadrat e tjera. Vlerësim maksimal nga ana jonë dhe nga futbollistët tanë. Këtu duhet të tregojmë që ndeshjet i marrim një nga një. Po vjen sprinti i fundit dhe nuk na falet asnjë nënvlerësim apo gabim nga ana jonë.

Çfarë i keni kërkuar skuadrës gjatë këtyre ditëve?
Përqëndrim dhe të jemi shumë të kujdesshëm. Duhet të rikuperojmë sa më shpejt për të qënë gati. Ashtu siç e thashë, vlerësim maksimal dhe respekt për kundërshtarin.

Ndeshje të vështira për ta motivuar ekipin…
Jo nuk besoj ashtu, pasi siç e thashë jemi në sprintin e fundit dhe të gjithë futbollistët janë të motivuar e përqëndruar maksimalisht. Nëse do ishim në fillim apo në mes të kampionatit, jam dakort. Kështu që të gjithë e dim që është një ndeshje të cilën duhen ta fitojmë. E dim objektivin që kemi dhe nuk ka asnjë hapësirë për nënvlerësim.

Në ndeshjet e fundit Muçi ka qënë deçiziv por nuk ka pasur minutat e duhura. Mendoni se në ndeshjet e mbetura do ketë më tepër hapësirë?
Gjithmonë ne shohim brënda ekipit lojtarë që janë gati për çdo ndeshje dhe çdo përballje ka specifikën e vet. Ne e dim kush është gati. E kam shpjeguar edhe më parë. E dim në çfarë nivel fiziku është aktualisht Muçi dhe po ja japim ngarkesën gradualisht e për të marrë formën e duhur të cilën po e arrin. E kemi dërguar të luajë edhe tek U19 por edhe Tirana B. Ai stërvitet çdo ditë në syrin tonë dhe jemi ne që vendosim nëse është gati për ta nisur nga minuta e parë apo jo.

Çfarë ndjesie ju krijon fakti që po i afroheni titullit kampion dhe jeni ju trajneri që rikthen Tiranën pas një dekade tek titulli?
Nuk e kam mëndjen fare atje. Kemi ndeshjen me Flamurtarin dhe përqëndrimin tim e kam vetëm aty. Duhet të futemi në fushë, të japim maksimumin dhe të marrim atë që na takon sepse këtë gjë i kam thënë dhe lojtarëve. Zoti do të na e shpërblejë me 3-pikë nëse ne i bëjme hyzmetin punës siç duhet.

Prisni një Flamurtar të mbimotivuar?
Ata kanë lojtarë me eksperiencë pasi pjesë e tyre jane futbollistë që kanë luajtur për shumë vite në Superiore, e prandaj thashë që duhet ti vlerësojmë maksimalisht. Është skuadra që nuk duhet ta nënvlerësojmë asnjë moment.

Jeni kaq pranë finishit. Ka ngarkesë të shtuar psikologjike?
Jo vetëm ne por të gjithë skuadrat mezi po presin të mbarojë dhe të sigurohet objektivi i vendosur. Kështu që është e pritshme dhe normale. Mendoj që është diçka normale, jo jashtë normales.

Powered by Live Score & Live Score App