Mbyllet miqesorja Tirana 2-2 Renova
Tirana ka barazuar sot testin e parë miqësor në Maqedonin e Veriut përballë Renovës. Ndeshja nisi me një minutë heshtje nga të dy skuadrat për nder të ish ikonës bardheblu, të ndjerit Fatmir Frashëri I cili u nda nga jeta një ditë më parë. Skuadra bardheblu luajti me shirit të zi në krah për respekt të “Mjeshtrit të Madh”.
Trajneri Ardian Mema i dha mundësinë të gjithë futbollistëve në këtë takim duke hedhur në fushën e lojës dy njëmbëdhjetëshe.
Formacioni startues: Lika, Doka, Muca, Imami, Hoxhallari, Celhaka, Batha, Daja, Cikani, Hasa, Muci.
Më herët në programin e stafit teknik ishte parashikuar që futbollistët do të aktivizohen vetëm 45’ duke ruajtur kështu lojtarët për ndonjë dëmtim të mundshëm, pasi përgatitjet për bardheblutë sapo kanë filluar.
Fraksioni i parë i lojësu mbyll me shifrat 1-1. Ishin vendasit që shënuan të parët. Një 11-metërsh I përplasur në shtyllë, por topi përfundoi pikërisht në kokën e njërit prej lojtarëve të Renovës I cili me kokë zhbllokoi rezultatin. Pak minuta më vonë, Gentian Muca barazpeshoi rezultatin pas një 11-metërshi të fituar nga Hoxhallari. Në fraksionin e dytë të lojës, Mema hodhi në fushë njëmbëdhjetëshen e dytë.
Formacioni: Bakaj, Goxha, Osmani, Karriqi, Hoxhallari, Cake, Cale, Torasa, Celhaka, Halili, Dunga
Protagonist përsëri Hoxhallari, I cili pas një krosimi të fortë nga e majta, nuk I dha mundësi tjetër mbrojtësit të djathtë vetëm për ta dërguar topin në rrjetë.
Pak minuta përpara fundit të takimit, ishte Renova ajo që barazpeshoi rezultatin në 2-2.
Minutat e fundit të lojës nuk sollën asnjë ndryshim në rezultat me Renovën e cila mbylli sot fazën përgatitore dhe bardheblutë të cilët do të qëndrojnë në Ohër edhe për 12 ditë të tjera, ku do të zhvillohen edhe 3 takime miqësore.