Ardian Mema: Krijojmë shumë, meritonim më shumë pikë

REZULTATET – “Skuadra ka luajtur mirë në tri takimet e fundit dhe kemi pasur mundësi të fitojmë ndeshjen. Por, unë mendoj se lojtarët janë të rënduar nga ana psikologjike dhe kjo bën që lojtarët të jenë pak të ngurtë para porte. Kam folur me ta për këtë aspekt dhe i kam kërkuar që ta harrojnë se çfarë ka ndodhur e të jenë të përqendruar në rastet që krijojmë”.

PËSIMI I GOLAVE – “Kjo është një temë që është diskutuar në analizat pas përfundimit të ndeshjes. Lojtarët i kap paniku, kemi shënuar të parët në dy takime e fundit dhe s’kemi arritur të ruajmë qetësinë. Ndoshta kjo vjen si pasojë e gjendjes psikologjike të skuadrës. Kemi defekte në goditjet standarde. Në ndeshjen ndaj Teutës vepruam gabim në goditjen e dënimit. Megjithatë goli ka qenë faull nga sulmuesi i Teutës Latif dhe gjyqtari mbas porte duhet ta kishte parë atë. Normalisht s’mund të merrem vetëm me goditjet e arbitrit. Kemi dy ndeshje që pësojmë gol nga goditjet standarde, dhe kjo ka qenë tema e diskutimit  në analizën e ndeshjesh”.

KËRKESA PËR ABITËR TË FIFA-s – “Nuk kemi si pranojmë arbitra që na ndëshkojnë, siç ndodhi në ndeshjen ndaj Kamzës e Teutës. Megjithatë kjo nuk është një justifikim për mua dhe skuadrën. Në Shqipëri bëjmë gabim që merremi shumë me arbitrat siç po bëj unë tani, por është e vërtetë që arbitri ka në dorë fatin e ndeshjes. Presidenti dhe drejtuesit e tjerë e kanë gjykuar se do ishte më mirë që të jetë një arbitër i huaj dhe unë jam do isha dakord me këtë”.

PIKËT – “Me rastet që kemi krijuar, minimalisht duhet të kishim 7 pikë. Në Vlorë meritonim një barazim, ndërsa në dy ndeshjet e tjera duhet të kishim fituar. Renditja në klasifikim është shumë e dobët. Ekipi dhe unë duhet të gjejmë forcë dhe motivim për të vazhduar më tej”

DIFERENCA E MADHE – “Kur kam pranuar këtë detyrë kam qenë me këmbë në tokë. E di se objektivi i Tiranës ka qenë pjesëmarrja në kupat e Europës. Momentalisht më duhet të them se kjo pjesë është disi e mbyllur, pasi duhet të largohemi nga zona e ftohtë dhe më pas të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet”.

TIRANA PËR MBIJETESË ? – “Secili ka mendimin e tij.  Loja e skuadrës ndaj ekipeve të pjesës së sipërme të tabelës si Flamurtari dhe Teuta ka qenë shumë mirë, kundërshtarët nuk ishin më lart se ne. Natyrisht rezultatet e dobëta i sjellin këto shqetësime”.