Ardian Mema: Është një ndeshje delikate, do te japim maksimumin
DEKLARATA E PRENGËS – Luajmë në fushën tonë dhe në fushën tonë, jo vetëm Tirana, por dhe ekipet e tjera nuk kanë çfarë kërkojnë? “Këto janë deklarata, përmes të cilave ndoshta trajneri kundërshtar mundohet të motivojë ekipin e vet. E kemi thënë edhe për vete këtë, që nuk fitohet me deklarata. Varet se si futbollistët interpretojnë në fushë. Varet se si një ekip mund të fitojë. Nuk merrem me pjesën e deklaratave”.
GJENDJA E SKUADRËS – “Ekipi ka pasur entuziazëm dhe kemi punuar mirë. Jam i gëzuar për këtë pjesë, sepse motivimi e kënaq një trajner. M’i prish pak planet ardhja e trajnerit të ri te Laçi, sepse ishim përgatitur sipas ish-trajnerit. Çdo trajner ka filozofinë e vet dhe do të ndryshojë diçka tek ekipi, sikurse kur erdha unë te Tirana dhe doja të ndryshoja dhe të fusja filozofinë time të lojës”.
FORMACIONI – “Do kemi ndryshime të vogla, por edhe në sistemin e lojës. Sistemi nuk sjell fitore, por interpretimi. Lojtarët duhet të përgatiten disa sisteme, sepse dua ta përgatis ekipin pasi ka ardhur trajner i ri te Laçi. Ndryshimet janë edhe taktike, por edhe mungesash. Secili do marrë masat para ndeshjes, të organizohemi mirë dhe të përballojmë lojën sipas dinamikës”.
RËNDËSIA E NDESHJES – “Është një ndeshje delikate, Laçi vjen nga një humbje. E ndoqa në Vlorë dhe në Shqipëri nuk ka ekipe të pakalueshme. Përqendrimi dhe puna gjatë javës dhe në ndeshje është vendimtar”.
VAZHDIMËSIA – “Do shpresoja për këtë pjesë, e kam thënë gjatë analizave të kësaj jave që duhet t’i kthehemi ndeshjeve dhe rezultateve pozitive. Nuk mund të fitosh po nuk luajte mirë. Lojëra ka pasur, por duhen rezultate. Ato e mbajnë ekipin në tonus dhe sjellin harmoninë brenda skuadrës”.
NGO – “Me Majkëll jam marrë vesh, kemi biseduar. Madje më është vetë-afruar. Kemi folur ngrohtë me njëri-tjetrin, çdo gjë është lënë pas. Kjo është gjëja më e mirë me të gjithë, për mua, ekipin dhe klubin. Duhet të shohim përpara.
DY NDESHJET E FUNDIT – “E kam thënë që në fillim se pikët janë ato që të mbajnë. Ke entuziazëm tjetër kur i ke pikët. Nuk mund të deklaroj se do të fitoj nesër, apo në vazhdimësi. Është futboll dhe janë tre rezultate. Duhet që lojtarët të japin maksimumin në fushë që të rikthehet entuziazmi”.