Ardian Mema: Besoj tek ekipi, do të bëjmë hapa pozitiv
OBJEKTIVI – Duhet të fillojmë një kampionat agresiv, në pjesën e parë të kampionatit. Po ta shohësh, ekipet që kanë qenë agresive që në fillim, kanë shkuar edhe drejt titullit. Do i marrim ndeshjet hap pas hapi, dhe do shohim ecurinë e ekipit. E rëndësishme është që të kemi një fillim të mbarë, dhe jo si ka ndodhur në vitet e kaluara. Duke bërë një analizë të viteve kaluara, duhet të shohësh edhe ecurinë tënde, pritshmëritë që i kanë të gjithë. Shpresojmë dhe besojmë te ekipi, që do bëjmë hapa pozitivë.
LUFTËTARIT – Për mua, rëndësi kanë 3 pikët. Me çdo skuadër, 3 pikët janë të vlefshme, si me Partizanin, Kukësin, Durrësin apo ndonjë tjetër. Janë 3 pikë në fund. Kjo na intereson, jo se si janë përgatitur ekipet e tjera apo se çfarë problemesh kanë pasur.
MERKATO – Nesër vjen Kristi Vangjeli. Jo më larg se dje, kam biseduar edhe me presidentin, për një lojtar tjetër me të cilin po negociohet në dijeninë time. Mund të mbyllet gjithçka që sot. Shpresoj që në ekip të vijnë lojtarë me cilësi, ato do bëjnë edhe diferencën si dhe për konkurrencën e ndershme. Do jetë pjesa ime, për të vendosur se kush do jetë i gatshëm për të luajtur në formacion. Çdo trajner ka një lloj filozofie loje, dhe pas asaj, bën edhe një lloj përzgjedhje në merkato. Por, nuk i kam marrë vetëm unë lojtarët. Jemi ulur të tre, unë, presidenti dhe shefi i klubit, Arbi Laçi. Kemi bërë një analizë të vitit të kaluar, ku kemi çaluar dhe çfarë duhet të bëjmë. Mund të them se kemi pasur një emërues të përbashkët e zgjedhja e lojtarëve. Unë jam trajneri dhe unë e vë vulën i fundit, por të tre bashkë kemi bërë merkaton.
LOJA E EKIPIT – Ndaj Bylisit në miqësore ishte një ndeshje jo e mirë për ne, që na shkundi disi, për sa i përket lojës. Kemi bërë edhe lojëra të mira, por edhe pas miqësores së fituar 5-1 ndaj Bylisit, e thashë që rezultati nuk ishte real. Kjo na bën, që edhe kur luajmë keq, t’i thërrasim mendjes se si luajmë dhe përqendrimit. Ngelet për t’u parë në vazhdimësi, vera ka ato oshilacionet e veta. Stërvitjet jaën disi ndryshe nga kampionati. Aty përgatitet një cikël javor. Megjithatë, jo çdo miqësore duhet marrë parasysh, për të mirë apo për të keq. Duhen parë ku i ke ato pikat e dobëta. Duhet punuar dhe për t’i parë gjërat më ndryshe, që ta rrisësh ekipin.
LUFTA PËR TITULL – Do jetë një kampionat i gjatë, është herët për të folur për cilin ekipi do kemi konkurrent, jo vetëm ta mundim. Do i shohim rrugës ecurinë e tyre. Do shohim në radhë të parë ecurinë tonë. Do jemi me këmbë në tokë, të shohim veten njëherë, pastaj kundërshtarët.
ALIBI – Unë nuk jam nga ata që ngre alibi, por ndonjëherë jam nervoz pas ndeshjeve. Edhe vjet, ekipi nuk ka qenë i keq, por kemi bërë gabime që na kanë kushtuar. Kur kam ardhur te Tirana në javën e 9-të, kam zënë vendin e katërt për pikët që kam marrë. Kam qenë një pikë pas Durrësit. Kemi shënuar gola më shumë se disa ekipe të tjera, kemi qenë në vendin e dytë për golat e shënuar. Një trajner niset të bëjë punë të mirë, por ka edhe alibi gjatë rrugës.