LIBRI I ARTE

 

unnamedLIBRI I ARTE KF TIRANA – LEGJENDA BARDHEBLU E FUTBOLLIT SHQIPTAR  

 

HISTORIKKF Tirana – Klubi i Futbollit Tirana – Është futboll-klubi më i madh dhe më i suksesshëm në Shqipëri i cili numëron 49 trofe madhore kombëtare me një numër rekord titujsh Kampion (24 herë), Fitues të Kupës së Shqipërisë (15 herë) dhe Fitues të Super-kupës së Shqipërisë (10 herë). KF Tirana është gjithashtu klubi më popullor në Shqipëri, me një numër të konsiderueshëm ndjekësish e dashamirësish brenda e jashtë vendit. KF Tirana i luan ndeshjet brenda në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në Stadiumin “Selman Stërmasi” (me kapacitet 12.500 persona, 6000 të ulur) e në disa raste në Stadiumin Qemal Stafa. Skuadra “Bardhë e Blu” është i vetmi ekip që ka marrë pjesë në të gjitha (76) sezonet në Kategoria Superiore dhe është i pari i regjistruar kampion në Shqipëri.

KF Tirana mban rekordin e paraqitjeve të klubeve shqiptare në Evropë, jo vetëm në numrin e lartë të pjesëmarrjeve (26), por dhe me sukseset e arritura përgjatë historisë 47-vjecare të kësaj pjesëmarrjeje. Aty numërohen 11 ture të kaluara në kupat e ndryshme evropiane si asnjë skuadër tjetër shqiptare. Gjithashtu, bardh-e-blutë mbajnë rekordin e të gjitha kohërave edhe për pozicionin më të lartë të një klubi futbolli shqiptar në renditjen botërore të IFFHS, teksa në vitin 1987 renditeshin të 31ët në Botë (Ish 17 Nëntori), kjo pas sukseseve të një viti më parë në Kupën e Kupave. KF Tirana janë antarë të Shoqatës Europiane të Klubeve (ECA).

Selman Stermasi

KF_Tirana_(1930)

Më 15 gusht 1920, atdhetari P. Nika, së bashku me të nderuarit A. Erebara, P. Jakova, A. Hoxha, A. Koja, P. Berisha, A. Zajmi, H. Fortuz, B. Pazari, L. Berisha, S. Frashëri, H. Alizoti, A. Gjitomi e V. Fekeçi formuan Shoqërinë Sportive “Agimi”. Parësore në këtë shoqëri ishte loja e futbollit. Ndaj, që në tetorin e po atij viti, skuadra e saj zhvilloi ndeshjen e parë me “Juventusin” e Shkodrës. Në vitin 1925 u zgjodh Këshilli Drejtues i Shoqërisë “Agimi”, i përbërë prej të nderuarve A. Zajmi, S. Stërmasi, B. Toptani, I. Gjinali e A. Koja. Gjatë këtij viti u zhvillua edhe takimi i parë ndërkombëtar me “Cerna-Gore-n” e Cetinës. Me nismën dhe këmbënguljen e të nderuarve S. Stërmasi, A. Erebara, A. Zajmi e A. Koja, “Agimi” në vitin 1927 mori emrin Sport-Klub Tirana.

 Tirana është skuadra më e suksesshme shqiptare. Ajo është kampione e futbollit shqiptar për mëse 24 herë. Ajo ka fituar trofetë e 15 Kupave Kombëtare dhe 10 trofetë Super-Kupës Kombëtare. Ata janë kampionët e parë kombëtarë të Shqipërisë në futboll, kurorëzuar në vitin 1930. Tirana ka fituar edhe 5 tituj të tjerë në periudhën e Para-Luftës se II-të Boterore.

 

TURNEU I PARE KOMBETAR 1911

SK TIRANA 1911

Pas hulumtimeve në arkiva të ndryshme, historianë shqiptar dhe arkivi i medias së shkruar kanë zbuluar fakte të reja për hapat e parë të topkëmbës në Shqipëri. Një turne i luajtur 10 vjet më herët sesa klubet të shfaqeshin në formën e tyre të riorganizuar të viteve 20′. Ende një eveniment jozyrtar, ky mund të quhet Turneu i 1rë Kombëtar i luajtur në Shqipëri. Të gjitha ndeshjet u luajtën me sistem eliminimi nga një ndeshje e vetme. Turi i 1rë ishte ai cerekfinal, që u luajt mes datave 7 & 10 Prill, 1911, më pas ndeshjet gjysmëfinale që u luajtën në datat 11 & 12 Prill, për tu mbyllur aktiviteti me ndeshjen finale të luajtur në datën 14 Prill, 1911.

Morën pjesë 8 ekipe gjithsej dhe të gjitha ndeshjet u luajtën në Rahije të Fierit me rastin e një panairi. KF Tirana u shpall fituese e këtij turneu.

 

KAMPIONATET E LUFTES SK TIRANA                   Edhe pse në periudhën e Luftës është luajtur futboll dhe madje me një pjesëmarrje masive, FSHF ende heziton ta zyrtarizojë këtë eveniment mjaft të rëndësishëm dhe sot e kësaj dite! Pikërisht në sezonet 1939, 1940 dhe 1942, në Shqipëri është luajtur futboll. Madje Kampionati i sezonit 1942 pati dhe ngjarjen e shënuar se, bashkë me ekipet shqiptare, u bashkangjitën edhe 3 ekipe nga Kosova: Prizreni, Peja dhe Prishtina duke e kthyer atë në një eveniment Mbarëkombëtar, eveniment i cili mbetet dhe sot unik dhe fatkeqësisht i papërsëritur! Kësisoj, drejtuesit e Federatës janë fare mirë në dijeni se në Shqipëri nuk luhet kampionati i 76të por i 79ti! KF Tirana kanë fituar dy tituj kampionë gjatë sezoneve 1939 dhe 1942 dhe KF Vllaznia një titull kampion në sezonin 1940. Flasim pra përafërsisht për periudhën kur sapo ishte shpallur fituesi i Kupës së 1rë të Shqipërisë në vitin 1939, eveniment të cilin Federata e ka njohur zyrtarisht. Kësisoj, Klubit të Futbollit Tirana i janë mohuar deri tani 2 tituj kampionë të fituar në fushën e lojës me djersë e meritë.

Pas vitesh heshtje, më në fund FSHF vendosi të emërojë një komision të përbërë nga 5 anëtarë, i cili duhej të siguronte prova dhe evidenca të mjaftueshme për këtë qëllim. Pasi një sasi e konsiderueshme provash u siguruan nga ky komision, Federata caktoi Asamblenë e Përgjithshme mbajtur në Shkurt, 2013, për shqyrtimin e njohjes zyrtare të këtyre 3 kampionateve. Në mbledhjen e saj Asambleja, edhe pse pranon se këto 3 kampionate janë luajtur korrektësisht dhe drejtësisht në fushën e lojës, sipas tyre nuk mund të quhen legjitime dhe nuk mund të njihen sepse nuk janë organizuar nga Federata por nën Regjimin Fashist!

Një vendim qesharak duke konsideruar faktin se Federata e Futbollit e ka njohur zyrtarisht Kupën e 1rë të Shqipërisë, veprimtari e cila u zhvillua dhe organizua nga kjo Federatë po nën Regjimin Fashist; flasim për një distancë kohore prej dicka mbi një vit (Janar 1939 – Mars 1940) nga dhënia e trofeut të kësaj kupe deri në nisjen e kampionatit të vitit 1940!

 

VAZHDIMESIA Myslym_AllaNë vitet 1958-64, Tirana vazhdoi të përfaqësohej denjësisht e renditja në kampionate luhatej rreth vendit të tretë. Por këto vite nuk ishin veçse preludi i asaj që përgatitej: rikthimi i Tiranës në lavdinë e paraluftës, nën drejtimin e të paharruarit Lym (Myslym) Alla. Në kampionatin e 22-të kombëtar, Tirana shpallet Kampion pas 28 vjet “agjërimi”.

 

KAMPIONATI I VITIT 1966-1967

1967

Këtë sukses ajo e përsërit edhe një vit më vonë, edhe pse sitemi i asaj kohe bëri një padrejtësi të qëllimshme. Tirana u përjashtua nga kampionati i sezonit 1966-67 ndërkohë që kishte siguruar titullin tre javë para përfundimit, titull që nuk mund t’i kalonte askujt tjetër përveçse Dinamos.

VITET 60-90

1969Megjithë këto makinacione e padrejtësi të papara kundër saj, Tirana arriti të shpallej kampione edhe dy vite të tjerë rresht, duke demonstruar një epërsi të plotë mbi të gjithë kundërshtarët (1968 vetëm 2 humbje, 1969-70 vetëm 1 humbje). 10-vjeçari 1971-80 u karakterizua nga luhatje të mëdha në ecurinë e Tiranës, me renditje në kampionat që shkonin nga vendi i dytë në atë të trembëdhjetë e fitoren e dy Kupave të Republikës. Ndërrimi i menjëhershëm i një brezi të tërë lojtarësh mbylli kështu një cikël të suksesshëm për Tiranën. Por agjërimi kësaj radhe nuk do të zgjaste shumë. Në sezonin 1981-82 Tirana rishpallet kampione, duke përsëritur këtë sukses edhe 3 herë të tjera gjatë 10-vjeçarit 1981-90, krahas fitores së 3 Kupave te Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve Tirana arriti suksese edhe në Kupat e Evropës, dhe lojtarët e saj përbënin bazën e përfaqësueses më të suksesshme që Shqipëria ka pasur.

Në vitet 1991-95 Tirana (që në gusht 1991 rimori emrin e saj të vërtetë), ashtu si e gjithë shoqëria e sporti shqiptar, përjetoi një periudhë tranzicioni e luhatjesh, të karakterizuar nga largimi i pothuajse të gjithë lojtarëve jashtë vendit. Por Tirana nuk duron të jetë për shumë kohë larg vendeve të nderit. Kështu më 1995 ajo u rishpall kampion 5 javë para përfundimit të kampionatit e arriti të grumbullojë plot 12 pikë diferencë nga vendi i dytë. Sukses që do ta përsëriste edhe 9 herë të tjera brenda 15 vjetëve, shto këtu edhe 6 kupa e 9 superkupa duke rinisur ciklin dominues. Por tanimë bëhet fjalë jo për histori, por për të tashmen që të gjithë e njohim. Tirana vazhdon të dominojë skenën e futbollit shqiptare e t’u dhurojë emocione e gëzim tifozëve të saj të përjetshëm, atyre që ndjehen tironas e që mendojnë se bardheblu nuk është thjesht një pasion, por një fe, një besim.

 

SEZONET E FUNDIT DHE E TASHMJA

2006-2007Gjatë periudhës 1993 – 2007 Tirana kompletoi një tjetër arritje domethënëse, të pa krahasueshme me asnjë klub tjetër shqiptar në Superligë: renditja e fund-sezonit gjithmonë i ka gjetur bardheblutë në dy vendet e para dhe jo më poshtë; përgjatë 14 sezoneve në fjalë u arritën 9 tituj kampion dhe 5 vende të dyta. Gjithashtu gjatë së njëjtës periudhë u fituan gjithashtu 6 kupa dhe 7 superkupa.

Edhe pse ka dominuar në 2 dekadat e fundit duke fituar mbi 28 trofe, sezonet e fundit kanë treguar mjaft oshilacione në klub. Faktorë të shumtë ndikuan negativisht, jo vetëm në kampionat dhe kupë, por dhe në paraqitjet e dobëta në Evropë. Një përmbledhje e paraqitjes së klubit që nga viti 2007:

  • Paraqitja më e fundit solide ishte ajo e sezonit 2006/2007, ku titulli u arrit lehtësisht. Gjithsesi, që nga dështimi në Ligën e Kampioneve tek bardheblutë pasoi një rënie e pashpjegueshme.
  • Sezoni 2007/08 i gjeti bardheblutë në vendin e 6të, një pozicion ky i pazakontë në kampionat gjatë 18 vjetëve të fundit.
  • Edhe pse Tirana fitoi përsëri titullin kampion në sezonin 2008/09, ishte një sezon pa shkëlqim.
  • Problemet filluan sërish në 2009/10 ku edhe pse të goditur mjaft nga gjykimi, ekipi nuk iu afrua kurrë realisht luftës për trofe. I vetmi ngushëllim i një tjetër sezoni të dështuar ishte arritja e vendit te 4të ku fitoi pjesëmarrjen në turin kualifikues të Ligës së Evropës. Edhe pse me mjaft probleme KF Tirana ishte i vetmi ekip shqiptar që kaloi një tur.
  • Edhe fillimi i sezonit 2010/11 nuk qe i mbarë, si pasojë e mosmarrëveshjeve president – shef klubi që u bënë faktor negativ në afrimin e emrave të duhur në merkaton e verës, por edhe problemet me rrogat e lojtarëve që patën ndikimin e tyre ne mbarëvajtjen e ndeshjeve. Si pasojë, drejtuesit e klubit shkarkuan trajnerin Sulejman Starova për ta zëvendësuar me trajnerin 8 herë kampion, Nevil Dede. Megjithë përforcimet, blerjet e reja nuk u integruan siç duhet në ekip. U ndryshuan 3 trajnerë (Sulejman Starova, Nevil Dede dhe Mišo Krstičević) me të cilët në drejtim Tirana nuk u rendit më lart se vendi i 5të në përfundim te sezonit 2010-2011. Gjithsesi, Tirana shpëtoi sezonin duke fituar Kupën e Shqipërisë ndaj Dinamos, pas verdiktit të penalltive. Kjo fitore i siguroi klubit edhe pjesëmarrjen në turin e 2të eliminator në Ligën e Evropës. Kompeticion në të cilin, Tirana u eliminua pas vetëm 2 ndeshjesh, ku barazoi 0-0 në Tiranë dhe humbi 1-3 në Sllovaki ndaj FC Spartak Trnava. Për të dytën herë rresht, klubi tregoi dobësi dhe papjekuri në formatimin në kohë të ekipit, fillimin me vonesë të pregatitjeve, hyrjen mjaft vonë në merkato, emërimin e trajnerit, etj, shkaqe këto që sollën rrjedhimisht dështimin në Evropë.
  • Sezoni i ri 2011/2012 nisi me këmbën e mbarë për klubin, që i shtoi tjetër trofe listës së gjatë të tyre, duke fituar për herë të 9të Superkupën e Shqipërisë brenda në Korçë ndaj kampionëve aktualë, KF Skënderbeu me të vetmin gol shënuar nga Bekim Balaj. Më 12 Tetor 2011 për Klubin e Futbollit Tirana u hap një kapitull i ri, mjaft i rëndësishëm dhe efikas. Këshilli Bashkiak miratoi unanimisht shndërrimin e klubit në një sh.a. (Shoqëri Aksionere). Bashkia e Tiranës ka fillimisht 100% të aksioneve, ndërkohë që afrimi i sponsorëve privatë do të ndodhë shumë shpejt për ti dhënë klubit një tjetër fytyrë dhe status në të ardhmen. Ky shndërrim natyrisht do ti japë efektet e veta ngadalë, por është mjaft i mirëpritur nga mijëra fansa bardheblu. Sezonin bardheblutë e mbyllën në vend te 3të, 5 pikë larg kampionëve të sapokurorëzuar, KS Skënderbeu, edhe pse u detyruan të ribëjnë 2 herë formacionin nën drejtimin e trajnerit të palodhur, spanjollit Julián Rubio, por edhe duke sfiduar problemet financiare që dolën në pah si pasojë e ngërçit të përkohshëm krijuar pas shndërrimit të statusit të klubit në Shoqëri Aksionere, probleme të cilat gjithashtu penguan afrimin e sasisë së mjaftueshme të lojtarëve për të përballuar krejt sezonin. Gjithsesi, kundër të gjitha këtyre vështirësive, Tirana arriti të bëjë të vetat 2 nga 3 trofetë e mundshme, duke mbyllur sezonin edhe me fitimin e kupës së 15të të Shqipërisë. Në finale bardheblutë mundën sërish kundërshtarin e tyre më të fortë në 2 sezonet e fundit, KS Skënderbeu dhe Bekim Balaj ishte përsëri njeriu që prodhoi fitoren me golin e shënuar në 107′, pasi koha e rregullt përfundoi barazim 0-0.
  • Ndërkohë, sezoni 2012/13 mund të kishte nisur edhe më mirë nëse klubi do bënte blerjet e duhura në kohë për një pjesëmarrje më dinjitoze në Ligën e Europës, ku fatkeqësisht u kalua vetëm një tur. Me Rubion në krye, Tirana nisi sezonin aktual me fitoren e Superkupës për herë të 10të jubilare, duke mposhtur edhe një herë tjetër në finale rivalët e Skënderbeut me rezultatin 2-1, këtë rradhë në kryeqytet. Fatkeqësisht, mosarritja e akordit në kontratën me spanjollin bëri që, pas mbi 13 muaj të suksesshëm dhe me 3 trofe të fituar, një nga trajnerët më profesionistë që ka punuar tek ky klub të largohej nga Tirana. Në vend të Rubios, trajner i Tiranës u emërua Artur Lekbello, një ikonë bardhë e blu, disa herë kampion me këtë klub në vitet 80′. Por fatkeqësisht, vetëm 42 ditë më vonë, Lekbello dha dorëheqjen pas rezultateve të dobëta, duke ia lënë vendin përsëri drejtorit teknik Alban Tafaj. Më 19 shkurt Tafaj u tërhoq në detyrën e mëparshme si drejtor teknik duke ia lënë postin e trajnerit Nevil Dedes, post që Dede e merr për të 2ën herë tek Tirana. Me Nevilin në krye, Tirana e mbylli sezonin në vendin e 5të, pasi më parë ishin eliminuar edhe nga Kupa që në turin e dytë, prej ekipit debutues, KF Përparimi. Një sezon ky vërtet i dështuar, pasi nuk u arrit të fitoheshin as trofe as pjesëmarrje në Europë.
  • Tirana e sezonit të ri nisi me probleme të tjera. Në gati 2 vjet Bashkia nuk bëri asgjë për shitjen e aseteve të klubit dhe si pasojë nuk mundi ta mbante vetë klubin i cili humbi mjaft lojtarë me peshë dhe u vu vërtet në pozita delikate, aq sa filloi të diskutohej nëse mund ta niste kampionatin. Vetëm në çastet e fundit të merkatos, u afruan 3 donatorë; Ndriçim Babasi (fillimisht i emëruar donator vendim-marrës i klubit, por i larguar në Dhjetor 2013 për tja lënë këtë post Z.Halili), Refik Halili (donator vendim-marrës që nga Dhjetori 2013) si dhe Lulzim Morina. Gjithashtu u afruan dhe disa futbollistë. Tirana e re nisi të merrte formë. Gjithsesi, edhe pse me financa tashmë të zgjidhura, afrimet në ditët e fundit të merkatos dhanë efektin negativ në rezultatet e ekipit përfshi këtu edhe eliminimin e hershëm nga Kupa. Si pasojë e humbjeve të njëpasnjëshme, Dede u pezullua nga detyra dhe trajner i përkohshëm u emërua Alpin Gallo, ish-futbollist bardheblu. Pas vetëm 5 ndeshjesh, drejtimi i pankinës ndryshoi sërish; drejtuesit bardheblu emëruan Gugash Maganin si trajner të Tiranës i cili qëndroi në detyrë edhe pas ndryshimit të donatorëve. Me Maganin në drejtim Tirana nisi më në fund të marrë rezultate dhe arriti të qëndrojë në Superiore, madje duke u renditur në vendin e 6të.
  • Më 26 Qershor 2014, pas shumë shtyrjesh e vonesash, më në fund Këshilli Bashkiak vendosi me 33 vota pro dhënien e 66% të aseteve të Bashkisë sponsorëve të klubit (momentalisht Z.Halili dhe Z. Morina), duke i hapur kështu dritën jeshile investimit të këtyre të fundit në merkaton para-sezonale, rikonstruksionin e stadiumit, fushat e stërvitjes, akademinë, etj për 18 vitet e ardhshme. Duke i dhënë fund kështu problemeve të njëpasnjëshme hasura gjatë të paktën 5 viteve të fundit.

Menjëherë pas këtij vendimi dhe meqenëse nuk pati pjesëmarrje në kupat e Europës, klubi pati gjithë kohën e duhur të organizohet më së miri në pregatitjet para-sezonale. Krahas merkatos së mirëstudiuar ku u afruan emra me vlerë si Bulku, Bakaj, Curri etj dhe stërvitjes efikase, Tirana organizoi dhe fazë të mirëfilltë pregatitore jashtë vendit (Ohër) për mbi 3 javë duke luajtur dhe ndeshje miqësore ku u arrit konsolidimi i plotë para-sezonal. Kishte vite të tëra që mungonte një organizim i tillë nga klubi. Gjithsesi, në fund të sezonit 2014-15, me trajner Gugash Magani në stol, Tirana nuk u rendit më lart sesa vendi i 4të, edhe pse luftoi deri në fund për titullin. Ndërkaq, në Kupë u eliminuan në gjysmë-finale nga KF Laçi (0-0 & 0-1), duke mbyllur kështu edhe një sezon tjetër pa trofe.